Rajoni

Sërish s’ka konstituim të Kuvendit të Kosovës, Nisma pret sinjal pozitiv nga Vetëvendosje!

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan për të 49-tën herë me radhë për të konstituuar përbërjen parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca e sotme u mbajt mes paralajmërimeve se më vonë gjatë ditës kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takohet me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për daljen nga ngërçi politik. Seanca e radhës pritet më 21 korrik në orën 11:00.

Para seancës, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, tha se pret që të zhvillohet takimi dhe të ketë vullnet poliitk nga Kurti.

Ne presim që sot të zhvillohet takimi. Jemi në afatet e fundit kushtetuese. Unë pres një sinjal pozitiv nga ky takim, që besoj që sot do të ndodhë dhe vulllnet politik nga lideri i LVV-së.

Sipas Izmakut, partia e saj pret që Limaj të bëhet kryeparlamentar dhe LVV-ja të drejtojë qeverinë.

Nuk ka ofertë tjetër. Kjo është alternativa e vetme që vendi të dalë nga ngërçi dhe shteti të ketë institucione.

Po ashtu, Izmaku pretendoi se Limaj ka mbështetjen edhe të deputetëve e partive të tjera.

Deputeti i AAK-së, Lah Brahimaj pretendoi se Nisma, LVV-ja dhe Lista Serbe kanë një marrëveshje në parim.

Kjo mbështetet në sjelljen e tyre, pasi pas çdo dështimi të seancës, deputetët e Nismës, LVV-së dhe Listës Serbe lëshojnë sallën plenare, partitë e tjera jo.

AAK-ja nuk ka vota për Limajn kryeparlamentar.

Nga PDK-ja kishte qëndrime të ndryshme para nisjes së seancës. Nait Hasanaj tha se nuk do ta votonte Limajn për kryeparlamentar, por Fadil Nura deklaroi se partia e tij ka interes që sa më shpejt, vendi të ketë institucione.

Shpresoj që PDK-ja do t’ia japë votën Fatmir Limajt.

Nga 1 maji, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Listës Serbe, po refuzojnë të propozojnë anëtarë për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Si parti fituese e zgjedhjeve, LVV-ja ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kryeparlamentarit dhe ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare. Por, Haxhiu është konsideruar si figurë përçarëse nga PDK-ja dhe AAK-ja që kanë kërkuar nga LVV-ja të ndryshojë propozimin. Ndërkaq, LDK-ja bën të qartë se nuk do të votojë asnjë emër të partisë fituese për këtë post.

Lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese detyron deputetët që brenda 30 ditësh, deri më 26 korrik, të zgjedhin kreun e ri të Kuvendit dhe më pas të votojnë nënkryetarët, duke përmbyllur kështu konstituimin e organit ligjvënës.

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, i tha Radios Evropa e Lirë se partia e saj kërkon që Limaj të zgjidhet kryeparlamentar.

Ne qëndrojmë me kërkesën tonë që mendojmë se është e arsyeshme për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi, deklaroi Izmaku për Radion Evropa e Lirë.