Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, që u parapri nga një mbledhje e grupit kuvendor demokrat. Një ditë pas publikimit të dosjes së dënimit në Itali të vëllait të Ministrit të Brendshëm për trafik droge, demokratët vendosën të bllokojnë seancën. Nëse iu hiqet mikrofoni e nuk lejohen të flasin do të transmetojnë fjalimet në “Facebook”. Gjithashtu, qëndrimi bllokues i Opozitës lidhet me vendimin e Kryeprokurores Arta Marku për të shkarkuar nga Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmatajn, prokuror i dosjes “Tahiri”. Tashmë, Hajdarmataj do të jetë vetëm prokuror në institucionin që drejtonte. Në vend të tij u komandua Donika Prela.