Fashion Live From Tirana

“Lajm i mirë”/Ligji për ndalimin e mallrave false, stilistja: Të ardhura më të mira, zhvillim dhe…

E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë stilistja Anila Konomi. Ajo ka folur më shumë mbi trendet e fundit të modës, por duke u ndalur dhe tek ligji që pritet të zbatohet mbi ndalimin e shitjes së mallrave të falsifikuara…

Si e sheh këtë vendim?

Lajm i mirë! Sepse unë jam gjithmonë drejt origjinalitetit, do të doja që çdo gjë të mos ishte më ‘fake’. Ne jemi një vend i vogël, që kemi një traditë në veshje, kemi linjat tona, kemi temperaturën e ambientit tonë. Ne duhet të vishemi sipas stilit tonë që na përket. Dhe që të vishesh sipas stilit tënd, duhet patjetër që të kesh diçka unike dhe ta kesh këtë në kopje shumë të vogla. 

Pse jam kundër këtyre markave që janë false? Sepse ti në njëfarë mënyre sfidon ose i bën konkurrencë jo të ndershme marës që ka vite që ka ndërtuar emrin, ka investuar shumë për këtë. Dhe kjo nuk është e ndershme, që gjithë këto vite pune të hidhen poshtë. Plus që është dhe një lloj egoje. Dikush që e ka ndërtuar këtë emrin, kur shikon që e imitojnë në mënyrë të shëmtuar, nuk është mirë.

Nëse marrim si shembull markën Hermes, ata janë në dijeni që prodhohen çanta false me emrin e tyre. A nuk ka një ligj që e parandalon këtë?

Akoma nuk ka një ligj, Kinës nuk ia kanë ndaluar dot. Por tani po ia vendos administrata e re që i ka thënë ‘stop’ Kinës dhe nuk do sjellin më mallra të pacertifikuara. Madje edhe atyre të certifikuara do u thonë ‘stop’, sepse do të zhvillojë biznesin e vendit të vet. Dhe këtë gjë duhet të bëjmë edhe ne, duhet të zhvillojmë biznesin tonë. Nëse ti përkrah biznesin tënd, edhe si qeveri të ardhurat do t’i kesh më të mira, populli do të ketë një zhvillim më të mirë, familjet do të kenë ku të punësohen. Ka shumë të mira ky ligj.