Barcelona zhvilloi të dielën ndeshjen e parë në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. Ajo ka mundur Visel Kobe në Japoni në miqësoren e parë gjatë turneut aziatik të saj, që tashmë do të zhvendoset në Korenë e Jugut me dy ndeshje të tjera në program.
Pas ndeshjes së parë të fituar ndaj Kobes, sulmuesi blaugrana, Robert Levandovski, foli për mediat. Sulmuesi veteran polak diskutoi për qëllimet e tij personale dhe të ekipit, të ardhmen e tij dhe gjithashtu vlerësoi shumë Lamin Jamal dhe prurjen më të re të Barcelonës në këtë merkato vere, Markus Rashford.
“Jemi të kënaqur që ndodhemi në Azi. Jemi të lumtur sepse kemi shumë mbështetës dhe këtë e kemi parë që nga dita e parë këtu. Ne duam të punojmë shumë, jemi këtu për të luajtur disa miqësore. Kemi kohë të përgatitemi mirë për sezonin”.
Sa i takon objektivave:
“Mendoj se për ne, dhe për mua, gjëja më e rëndësishme është se ku duam të shkojmë dhe sa tituj duam të fitojmë. Sigurisht, golat e mi janë të rëndësishëm për mua dhe për ekipin… Mund të ndihmoj jo vetëm me golat e mi, por edhe me performancën time. Çdo gjë që bëmë vitin e kaluar, mund ta përmirësojmë. Mendoj se mund të luajmë më mirë dhe me më shumë përvojë. Patëm një periudhë ku nuk luajtëm në mënyrë perfekte. Kishim një ekip të ri. Mund të luajmë më mirë se vitin e kaluar”.
Levandovski foli edhe për të ardhmen:
“Nuk e di nëse do ky të jetë sezoni i fundit i kontratës sime. Jam i qetë. Ajo që ka rëndësi tani nuk është ajo që ndodh në fund të sezonit; ajo që ka rëndësi është ajo që ndodh këtë sezon, çfarë mund të bëj. Jam i qetë; ajo që ka rëndësi është ajo që kam në zemër dhe në kokë. Por gjëja e parë është të shohim se çfarë ndodh këtë sezon ku futemi me objektiva madhorë”.
Pritshmëritë për sezonin e ri?
“Këtë vit do të jetë më e vështirë, sepse çdo ekip dëshiron të na mundë. Duhet të mësohemi shpejt me këtë fakt sepse mund të na ndihmojë në vijimësinë e sezonit”.
LIGA E KAMPIONËVE
“Ka shumë faktorë në Ligën e Kampionëve, si lëndimet… ne kemi tituj në mendjet tona. Rruga është shumë e gjatë dhe duhet të përqendrohemi në ndeshjen e radhës, jo te finalja. Ne jemi skuadra që duhet mposhtur dhe ajo që duhet të bëjmë është të jemi më të mirë në fushë. Ne e dimë se cilin drejtim duam të marrim”. SHIRITI I KAPITENIT – “Nuk është diskutuar ende. Të gjithë në ekip mund të ndihmojnë në një farë mënyre, jo vetëm kapitenët”.
Levandovski foli edhe për Rashford:
“Ai është një lojtar me talent të jashtëzakonshëm. Mbaj mend që luajtëm kundër Mançester Junajtid dhe Rashford ishte në formë të shkëlqyer. Ai mund të na ndihmojë dhe mund të luajë në pozicione të ndryshme. Sezoni do të ketë shumë ndeshje dhe është e nevojshme për këtë”. SITUATA E JAMAL – “Ai nuk është më aq i ri, edhe pse është vetëm 18 vjeç. Ai nuk është vetëm një lojtar i mirë, është edhe një djalë i mirë. Kemi kontakt edhe jashtë fushës. Jam i sigurt se ai mund të luajë akoma më mirë se vitin e kaluar, sepse është një vit më i madh. Çdo vit, ai mund të luajë më mirë”.