Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
WhatsApp po bën një lëvizje historike që mund të ndryshojë mënyrën si komunikojmë çdo ditë: po heq dorë nga numrat e telefonit. Po, më në fund s’do kesh më pse t’i japësh dikujt numrin tënd për të folur me të — do mjaftojë një username, si në Instagram apo TikTok.
Kjo veçori e re po testohet në versionin “beta” të aplikacionit dhe duket se do të jetë ndryshimi më i madh në privatësinë e WhatsApp-it që prej lançimit të enkriptimit end-to-end. Ideja është e thjeshtë: në vend që dikush të shohë numrin tënd, do të shohë vetëm emrin unik që ti ke zgjedhur.
Pra, në vend të “+355…” mund të jesh thjesht “@MateoTech” ose “@unëjamaiqejam”. Përdoruesit do mund të bisedojnë, të hyjnë në grupe apo të bëjnë biznese pa zbuluar numrin personal — gjë që deri tani ka qenë pak si të japësh adresën e shtëpisë çdo herë që flet me dikë.
Por, si çdo risi në internet, edhe kjo sjell rrezikun e “username squatting” – njerëzit që kapin emra të famshëm për t’i shitur më vonë, apo imituesit që krijojnë profile false. WhatsApp thuhet se po përgatit verifikim me “badge” (si ne Instagram dhe X) për të parandaluar këtë lloj abuzimi.
Nëse testi del me sukses, ky ndryshim do të ndikojë te mbi 2 miliardë përdorues globalisht. Më në fund, WhatsApp mund të ndalojë së qeni thjesht një aplikacion mesazhesh dhe të bëhet një rrjet social tërësisht i ri, ku identiteti yt s’lidhet më me një numër, por me emrin që zgjedh vetë.