I dërguari amerikan, Amos Hochstein, mbërriti në Bejrut për bisedime me zyrtarë libanezë rreth një armëpushimi mes Hezbollahut dhe Izraelit. Grupi militant pro-iranian pranoi propozimin e Uashingtonit për armëpushim. Vizita tregon se ka përparim në përpjekjet diplomatike, të udhëhequra nga Amerika, për t’i dhënë fund konfliktit.
Si qeveria libaneze, ashtu edhe Hezbollahu, ranë dakord me propozimin e SHBA-ve për armëpushim. Dokumenti iu dorëzua me shkrim javën e kaluar dhe ata dhanë mendimet mbi përmbajtjen e tij, siç deklaroi dje për Reuters-in, Ali Hassan Khalil, këshilltar i kryetarit të Parlamentit të Libanit, Nabih Berri.
Izraeli ende nuk ka dhënë ndonjë koment. Hezbollahu e mbështeti aleatin e tij të hershëm Berri për të negociuar një armëpushim edhe pse njësoj si Izraeli e kanë përshkallëzuar luftën, teksa vijojnë përpjekjet politike.
Një diplomat i njoftuar lidhur me bisedimet paralajmëroi se ende duhet që të përcaktohen hollësitë e kjo nënkupton të vonojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Khalil vuri në dukje se Izraeli po përpiqet të negociojë “nën zjarr”, duke iu referuar intensifikimit të bombardimeve ndaj Bejrutit dhe periferive jugore të kontrolluara nga Hezbollahu.
Kjo nuk do të ndikojë në qëndrimin tonë.
Po ashtu refuzoi të jepte hollësi sa iu përket vërejtjeve që Libani ka bërë për propozimin por tha se ato u paraqitën “në një atmosferë pozitive” e në përputhje me Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që i dha fund luftës së fundit midis Hezbollahut e Izraelit, para 18 viteve, në vitin 2006.
Rezoluta i kërkon Hezbollahut të mos ketë prani ushtarake në zonën mes kufirit libanezo-izraelit dhe lumit Litani, që rrjedh përgjatë rreth 30 kilometrave në veri të kufirit.
Para pesë ditëve, Banka Botërore raportoi se lufta aktuale mes Izraelit dhe Hezbollahut i ka shkaktuar Libanit dëme dhe humbje në vlerën e 8.5 miliardë dollarëve. Sipas institucionit financiar, shifrat përfundimtare do të jenë shumë më të larta pasi lufta është duke vazhduar.
I nxitur nga lufta në Gazë, konflikti në Liban u zhvillua për një vit rresht, para se Izraeli të ndërmerrte ofensivë të gjerë në shtator, duke e bombarduar Libanin nga ajri, si dhe dërgoi trupa tokësore në jug të territorit libanez.