Bota

Lotaria e pazakontë në Paris: 30 varre historike në ankand për qytetarët!

Qyteti i Parisit ka nisur një nismë po aq të pazakontë sa edhe simbolike: Një lotari funerale që u jep banorëve mundësinë të sigurojnë një varr në njërën nga varrezat më të famshme të kryeqytetit francez.

Në kuadër të projektit të ri të Këshillit të Parisit, 30 varre historike të braktisura do të restaurohen dhe do të ofrohen për shitje nëpërmjet një llotarie publike.

Konkretisht, nga dhjetë varre do të zgjidhen në secilën prej tre varrezave më të njohura të qytetit.

Sipas autoriteteve pariziene, iniciativa synon të restaurojë varret e vjetra me vlerë historike dhe të zbusë mungesën e hapësirës funerale brenda kufijve të qytetit, ku varrezat janë pothuajse të mbushura që nga fillimi i shekullit XX.Projekti përshkruhet si “një kompromis midis respektimit të të vdekurve dhe dhënies së mundësisë qytetarëve për t’u varrosur brenda Parisit”.

Fituesit e shortit do të marrin të drejtën për të blerë një prej varreve ekzistuese për 4,000 euro, ndërsa janë të detyruar të restaurojnë monumentin brenda gjashtë muajsh, duke ruajtur pamjen origjinale.Çmimet e vendeve të varrimit ndryshojnë sipas kohëzgjatjes së qirasë:

976 € për 10 vjet

3,354 € për 30 vjet

5,260 € për 50 vjet

17,668 € për një kohë të pacaktuar

Në rast se fituesi nuk përmbush kushtet e restaurimit dhe pagesës, shitja anulohet dhe investimi humbet.

Sipas zëvendëskryetarit të bashkisë, vetëm brenda 24 orëve nga hapja e aplikimeve, më shumë se 1,000 persona kishin vizituar faqen zyrtare për të aplikuar. Aplikimet janë të hapura vetëm për banorët e Parisit dhe mund të bëhen deri më 31 dhjetor 2025. Emrat e 30 fituesve do të shpallen në janar 2026.

Varrezat e përzgjedhura janë ndër më të famshmet në botë, ku prehen personalitete që kanë lënë gjurmë në historinë e artit dhe kulturës botërore.