Bota

Lufta ruse, dita e dytë e negociatave SHBA-Ukrainë!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e të dërguar amerikanë zhvilluan negociata për më shumë se pesë orë në Berlin, pa sinjale për ndonjë rezultat potencial, duke thënë vetëm se bisedimet do të vazhdojnë edhe sot.

Përfaqësuesit zhvilluan diskutime të thella sa i përket planit 20-pikësh për paqe, mbi axhendën ekonomike e jo vetëm. U arrit shumë përparim, shkroi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff.

Zelensky do të takohet sot edhe me zyrtarë të lartë europianë: me liderë të Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës. Ende nuk është bërë e qartë nëse këto diskutime do të zhvillohen të ndara apo të kombinuara me diskutimet SHBA-Ukrainë.

Dmytro Lytvyn, zëdhënës i Zyrës Presidenciale të Ukrainës, konfirmoi rinisjen e bisedimeve më 15 dhjetor.

Negociatat e Zelensky-t me zyrtarët amerikanë dhe ata europianë synojnë ndalimin e luftës së Rusisë në Ukrainë e që ka nisur rreth 4 vjet më parë. Ky është konflikti më i përgjakshëm në Europë prej Luftës së Dytë Botërore.

Para nisjes së takimeve, Zelensky ka sugjeruar se Ukraina do të heqë dorë nga aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO, në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë. Por, heqja dorë nga NATO nuk është vendim i lehtë për Zelensky-n, pasi anëtarësimi në aleancë veçohet si synim i përfshirë në Kushtetutën e Ukrainës.

Prej fillimit, dëshira e Ukrainës ka qenë t’i bashkohet NATO-s, këto janë garanci reale të sigurisë, tha Zelensky. Disa partnerë në Amerikë dhe Europë, nuk e përkrahin këtë drejtim. Ndaj, garancitë e sigurisë mes Ukrainës e SHBA-ve, garanci të stilit të Artikullit 5, bashkë me garancitë e sigurisë nga kolegët europianë, si dhe nga Kanadaja e Japonia, janë mundësi për të parandaluar një tjetër pushtim rus. Ky është tashmë kompromis nga ana jonë. Çdo garanci e sigurisë duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme.

Në mesin e kërkesave kryesore të Moskës është që Kievi të mos anëtarësohet kurrë në aleancën ushtarake perëndimore. Shumë vende anëtare të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përjashtuar mundësinë e hyrjes së Ukrainës në aleancë, të paktën në kushtet aktuale.

Në anën tjetër, Moska e ka nënvlerësuar rëndësinë e bisedimeve në Berlin, pasi palët vazhdojnë të mos pajtohen për çështje territoriale dhe garanci të sigurisë.

Prezenca e Witkoff-it, i cili i ka udhëhequr negociatat me Kievin dhe Moskën lidhur me propozimin amerikan, shihet si sinjal që Uashingtoni pret përparim drejt përfundimit të luftës.