Bota

SHBA intensifikon investimet në Ballkan, gazsjellësi 1.5 miliardë $ si strategji kundër varësisë nga Rusia

Shtetet e Bashkuara po rrisin praninë e tyre ekonomike dhe strategjike në Ballkan përmes investimeve miliarda dollarëshe në sektorin e energjisë, me fokus të veçantë te gaz natyror i lëngshëm (LNG). Qëllimi kryesor është të forcohet roli amerikan në tregun energjetik europian dhe të ulet varësia e vendeve të rajonit nga furnizimet ruse.

Një nga projektet kryesore është gazsjellësi Southern Interconnection, që lidh terminalin e gazit LNG në ishullin Krk të Kroacisë me Bosnjë dhe Hercegovinën. Projekti, me gjatësi 236 km, ka një vlerë të parashikuar prej 1.5 miliardë dollarësh dhe pritet të përfundojë në vitin 2028, duke ofruar Sarajevës qasje direkte në burime alternative të gazit.

Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, e ka konsideruar projektin si një element të rëndësishëm të bashkëpunimit energjetik në rajon. Aktualisht, Bosnja mbështetet pothuajse plotësisht në gazin rus të transportuar përmes gazsjellësit TurkStream. Me Southern Interconnection, vendi do të ketë mundësi të diversifikojë furnizimet dhe të zvogëlojë ndikimin rus në sektorin energjetik.

Megjithatë, mënyra e realizimit ka ngjallur debate në Bruksel, pasi koncesioni 30-vjeçar u dha direkt kompanisë amerikane pa një tender publik. Bashkimi Evropian paralajmëron se shmangia e procedurave standarde mund të ndikojë negativisht në integrimin e Bosnjës në tregun energjetik europian dhe në përfitimin e fondeve zhvillimore.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, investimet amerikane vlerësohen pozitivisht nga shumë qeveri ballkanike. Shtetet e Bashkuara po angazhohen gjithashtu në infrastrukturën digjitale për të kufizuar praninë e kompanive kineze si Huawei dhe ZTE, si dhe po forcojnë bashkëpunimin ushtarak me vendet e rajonit.

Ky lëvizje e Uashingtonit synon jo vetëm stabilitet energjetik, por edhe zgjerimin e ndikimit strategjik në një rajon me rëndësi të lartë gjeopolitike.