Bota

Luftime intensive në Sudan, sulme ajrore në Kartum/Asnjë shenjë respektimi të armëpushimit!

Sulmet ajrore kanë goditur kryeqytetin e Sudanit, Kartum, pavarësisht një armëpushimi për të cilin palët ranë dakord dje, që civilët të mund të largoheshin nga aty. Ushtria tha se po sulmonte qytetin në mënyrë që të largojë rivalët paraushtarakë, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

Luftimet u intensifikuan edhe pse palët u zotuan ta zgjasin armëpushimin për tre ditë të tjera. Deri tani është raportuar për mbi 500 të vrarë, por numri i vërtetë i viktimave besohet të jetë shumë më i lartë. Ndërkohë, miliona njerëz kanë mbetur të bllokuar në kryeqytetin e Sudanit.

Komandanti i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe shefi i RSF-së, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo luftojnë për pushtet. Mosmarrëveshjet nisën lidhur me planet për ta përfshirë RSF-në në ushtri.

Gjeneralët ranë dakord për një armëpushim humanitar pas përpjekjeve intensive diplomatike nga vendet fqinje, si dhe SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar e OKB-ja. Armëpushimi u zgjat, por nuk po respektohet.

Hamid Khalafallah nga Instituti Tahrir për Politikat e Lindjes së Mesme nuk mund të largohet nga vendi.

Kur ka bombardime shumë të forta dhe afër, ne strehohemi në shtëpi. Përpiqemi të bashkohemi të gjithë në një dhomë qendrore, larg dritareve, larg mureve e kështu me radhë. Thjesht shtrihemi në dysheme derisa të kalojë. Kur sulmet janë pak më larg, ne përpiqemi t’i shfrytëzojmë orët e qetësisë që na jepen, disa orë në ditë për të dalë shpejt e për të marrë ato që na nevojiten. Edhe kjo është shumë e rrezikshme, por duhet ta bëjmë.

Rreziku për ekipet e ndihmave humanitare

Furnizimet e para të ndihmës, si pajisje mjekësore, tashmë kanë mbërritur në Sudan. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se një avion shkoi në vendin afrikan, me tetë tonë ndihma, përfshirë pajisje shëndetësore për spitalet.

Me rreziqet që ende po vazhdojnë, ekipet e Komitetit do të kenë nevojë për garanci për kalim të sigurt nga palët në konflikt, për të dorëzuar materialet në spitale e qendra mjekësore ku ka luftime aktive, si në Kartum.

Më shumë se 70% e objekteve shëndetësore në kryeqytet janë detyruar të mbyllen si pasojë e luftimeve që shpërthyen më 15 prill.

Luftimet pritet të vazhdojnë

Korrespondenti i BBC-së, Paul Adams, i cili për ngjarjet raporton nga Nairobi në Kenia, thotë se ushtria do ta ketë të vështirë ta dëbojë RSF-në nga Kartumi.

Pavarësisht fuqisë ushtarake të ushtrisë, njësitet e RSF-së janë shumë të përshtatshme për luftërat urbane.

Mes kaosit, vendet e huaja i kanë evakuuar shtetasit e tyre nga Sudani. Dy ditë më parë, ish-kryeministri sudanez, Abdalla Hamdok paralajmëroi se konflikti mund të përshkallëzojë më keq se në Siri e Libi.

Unë mendoj se do të jetë një makth për botën. Kjo nuk është një luftë mes një ushtrie dhe një rebelimi të vogël. Pothuajse është si mes dy ushtrive.