Bota

Mediat: Amerika dhe Irani arritën marrëveshje në parim për zgjatjen e armëpushimit!

Disa media amerikane dhe ndërkombëtare raportuan se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë arritur një marrëveshje në parim për të zgjatur armëpushimin e tanishëm dhe se tani duhet të marrë dritën e gjelbër nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Reuters citoi katër burime, sipas të cilave, marrëveshja do ta zgjasë armëpushimin me 60 ditë të tjera e do të mundësojë qarkullimin e lirë në Ngushticën strategjike të Hormuzit, ndërkohë që negociatorët vazhdojnë t’i shtjellojnë çështjet më të vështira, siç është programi bërthamor i Teheranit.

Ky lajm vjen mes raportimeve nga agjencitë iraniane të lajmeve se dje, forcat e Iranit nisën sulme me raketa, që fillimisht besohej se ishin të shtëna paralajmëruese drejt anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, Amerika njoftoi se kishte vendosur sanksione të reja ndaj tregtisë së naftës ushtarake të Iranit, duke synuar tetë anije të përfshira në transportimin e produkteve iraniane të naftës drejt tregjeve globale.

Megjithëse kjo nuk do të ishte marrëveshja më gjithëpërfshirëse e armëpushimit që Trump kishte thënë se Amerika po kërkonte.

Nëse konfirmohet, akordi i ri do të ishte hapi më i madh drejt paqes që nga koha kur Amerika dhe Izraeli nisën sulmet ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt e që çuan në përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Reuters tha se Trump ende nuk e ka miratuar marrëveshjen, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk preferoi të komentojë.

Zv.presidenti JD Vance iu tha gazetarëve se Uashingtoni “ende nuk ka arritur në atë pikë” në bisedimet me Teheranin, por se palët janë afër.

Eshtë e vështirë të thuhet saktësisht kur ose nëse presidenti do ta nënshkruajë memorandumin e mirëkuptimit. Po diskutojmë ende për disa pika të formulimit. Nuk mund të garantoj se do të arrijmë deri aty, por tani për tani ndihem mjaft optimist.

Teherani nuk i ka komentuar këto raportime, të cilat u bënë fillimisht nga Axios. Agjencia iraniane Tasnim, duke cituar një burim, tha se teksti i marrëveshjes ende nuk është i finalizuar ose konfirmuar.

Mes të tjerash, AFP, dpa, CNN, The New York Times, Fox News dhe CBS News cituan burime që thanë se ishte arritur një marrëveshje në parim për zgjatjen e armëpushimit.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, gjatë një deklarate në Shtëpinë e Bardhë, refuzoi të konfirmojë marrëveshjen, por u tha gazetarëve se “ndoshta i kemi bazat për të”.

Armëpushimi 30-ditor SHBA-Iran hyri në fuqi fillimisht në fillim të prillit dhe para se të skadonte, Trump vendosi ta zgjaste për një kohë të papërcaktuar.