Bota

Maduro konfirmon bisedën me Trump-in: Presidenti amerikan, shumë i përzemërt!

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, bëri të ditur se rreth dhjetë ditë më parë ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun amerikan, Donald Trump, në një moment kur tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm. Në televizionin publik, ai tha se biseda ishte “me respekt dhe e përzemërt”, ndërsa shtoi se një dialog i tillë mund të hapë rrugën për marrëdhënie më të qeta.

Maduro theksoi se po kërkon “dialog të respektueshëm, shtet me shtet”, duke nënvizuar se Venezuela kërkon paqe dhe diplomaci, jo përplasje”. Ndërkohë, presidenti Trump konfirmoi shkurtimisht komunikimin, duke thënë se “i tregoi disa gjëra” Maduros, por mohoi se ka pasur një telefonatë të dytë.

Biseda vjen në një kohë kur Amerika ka ashpërsuar presionin ndaj Venezuelës, duke vendosur trupa në Karaibe dhe goditur anije që Uashingtoni i konsideron si “transportuese të drogës”. Maduro njoftoi se telefonata erdhi drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë dhe kërkoi “maturi diplomatike”, duke theksuar se negociatat serioze duhen zhvilluar larg mikrofonëve. Ai përsëriti në anglisht se vendi i tij dëshiron diplomaci e “kurrë luftë”.

Trump e akuzon qeverinë venezueliane për trafik droge, ndërsa Maduro e cilëson këtë një justifikim për ndryshim regjimi dhe kontroll të naftës. Paqartësitë u shtuan kur në Karakas mbërriti një avion me 266 emigrantë të deportuar nga SHBA-të, pavarësisht deklaratave të Trump-it se hapësira ajrore venezueliane ishte “e mbyllur”.

Autoritetet venezueliane vunë në dukje se Shtetet e Bashkuara kërkuan vetë fluturimin disa ditë më parë dhe se Maduro e miratoi menjëherë. Ky është fluturimi i 76-të i riatdhesimit nga SHBA, ndërsa numri total i të rikthyerve këtë vit ka kaluar 18 mijë persona.