Bota vazhdon të presë reagimin e presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj një kornize të propozuar për zgjatjen e armëpushimit aktual me Iranin, ndërsa vazhdojnë kërcënimet për rifillimin e sulmeve ajrore amerikane.
Deri dje në orët e vona, nuk kishte asnjë njoftim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë, një ditë pasi Trump përfundoi një takim në Dhomën e Situatave lidhur me një marrëveshje të mundshme me Teheranin që synon zgjatjen e armëpushimit të brishtë për 60 ditë, hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.
Sipas kësaj kornize, të tjera çështje të vështira, si e drejta e Iranit për pasurimin e uraniumit dhe programi i tij bërthamor në tërësi, së bashku me lehtësimin e mundshëm të sanksioneve ndaj Teheranit do të negocioheshin gjatë periudhës 60-ditore.
Disa media amerikane raportuan se Trump ka kërkuar një numër ndryshimesh në kushtet e kornizës, duke treguar se mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
The New York Times dhe Axios, duke cituar zyrtarë të njohur me diskutimet, raportuan veçmas se ndryshimet e kërkuara nga Trump përfshinin ashpërsimin e kushteve të marrëveshjes dhe se detajet e reja, SHBA-të ua kanë përcjellë autoriteteve iraniane për shqyrtim.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se Uashingtoni është i gatshëm të rifillojë veprimet ushtarake kundër Iranit nëse negociatat në vazhdim nuk prodhojnë një marrëveshje, duke theksuar se forcat amerikane mbeten të gatshme pavarësisht përpjekjeve për të arritur zgjidhje diplomatike.
Nga pala iraniane, një këshilltar i udhëheqësit suprem, Mojtaba Khamenei, akuzoi Trumpin se po “tradhton diplomacinë për herë të tretë” duke vazhduar bllokadën detare të vendosur ndaj porteve iraniane dhe bërë ato që i quajti “kërkesa të tepruara” në negociata.
Në një postim në X, Mohsen Rezaei tha se qëndrimi i Trump-it në tryezën e negociatave tregon se ai nuk është i prirur drejt negociatave dhe po ndjek objektiva të tjera.