Bota Health & Beauty

Raporti mjekësor: Trump ka shtuar 6 kg e ka kyçe të ënjtura, por gëzon shëndet të shkëlqyer!

Shtëpia e Bardhë publikoi një buletin të ri mjekësor në lidhje me shëndetin e presidentit Donald Trump.

Ka kyçe të fryra, mavijosje “beninje” në duar dhe ka shtuar 6 kilogramë, por gëzon shëndet të shkëlqyer.

Dokumenti u firmos nga mjeku presidencial Sean P.Barbabella e gjithashtu përfaqëson një përgjigje ndaj thashethemeve të ditëve të fundit, sipas të cilave, heshtja e Shtëpisë së Bardhë, e kombinuar me mungesën relative të Trump-it në evente publike, fsheh zbulimin e një gjetjeje negative në testet shëndetësore të presidentit.

Çfarë thotë raporti mjekësor i Trump-it?

Trump konsiderohet plotësisht i aftë për të kryer detyrat e “komandantit të përgjithshëm”. Në raport, Barbabella thekson funksionimin e duhur kardiovaskular, respirator dhe neurologjik të presidentit, si dhe gjendjen e tij të përgjithshme fizike “të shkëlqyer”, pavarësisht axhendës së ngjeshur.

Presidenti arriti edhe një herë rezultatin më të lartë në Vlerësimin Kognitiv të Montrealit, një test i përdorur për të identifikuar shenjat e rënies kognitive ose demencës.

Mavijosje dhe ënjtje në këmbë

Përpara ditëlindjes së 80-të, pas dy javësh, Donald Trump ka qenë subjekt i spekulimeve të konsiderueshme në lidhje me gjendjen e tij fizike, veçanërisht shfaqjen e mavijosjeve në duar dhe ënjtjes në këmbë, të vërejtura në muajt e fundit.

Në dokument, Barbabella përsëri ia atribuon mavijosjet shtrëngimeve të shpeshta të duarve dhe marrjes së rregullt të një ilaçi. Megjithatë, disa mjekë jashtë Shtëpisë së Bardhë hedhin dyshime në lidhje me këtë shpjegim, duke vënë në dukje se shenjat u shfaqën në dorën e majtë, që nuk është ajp dominuese e presidentit.

Raporti mjekësor vëren praninë e një ënjtjeje të lehtë në kyçet e këmbëve të tij, por e përshkruan si më pak të dukshme se vitin e kaluar, pa dhënë detaje të mëtejshme mjekësore. Gjithashtu konfirmohet se Trump vazhdon të marrë dy ilaçe për të kontrolluar kolesterolin. Nuk përmenden të tjera trajtime farmakologjike.

Sa është i gjatë dhe sa peshon Trump?

Lidhur me parametrat e tjerë shëndetësorë, Trump 1 e 90 i gjatë, raportohet të peshojë 108 kilogramë, afërsisht 6.3 kilogramë më shumë se në vizitën e vitit të kaluar.

Bazuar në indeksin e masës trupore, presidenti bie në kategorinë “mbipeshë” dhe është afër pragut të obezitetit. Për këtë arsye, mjekët e kanë këshilluar të rrisë aktivitetin fizik e të vazhdojë programin e menaxhimit të peshës.

Vizita e fundit mjekësore e Trump-it:

Shtëpia e Bardhë sqaroi se raporti përfshin teste diagnostikuese dhe vlerësime të kryera gjatë vitit të kaluar, si dhe mendime nga 22 specialistë.

Ditët e fundit, Trump iu nënshtrua një ekzaminimi mjekësor dhe dentar në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare Walter Reed në Maryland. Kjo është vizita e tretë në këtë strukturë në 13 muaj, pas kontrollit vjetor në prill 2025 dhe vizitës pasuese në tetor 2025.