Aktualitet Rajoni

Maqedoni e Veriut/ Qeveria merr vendim: 7 ditë zie në gjithë territorin pas tragjedisë në Koçan!

Qeveria e ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje për të nderuar personat që humbën jetën tragjikisht pas djegies së diskotekës në Koçan.

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të qeverisë, pas ngjarjes tragjike në komunën e Koçanit, ku 59 persona humbën jetën ndërsa 155 persona morën lëndimet të rënda, qeveria mori vendim për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin.

LEXO EDHE: Tragjedia në Koçan/ Ministri i Brendshëm i RMV: Licenca e klubit është përfituar nëpërmjet korrupsionit, kemi arrestuar një ish zyrtar të ministrisë të Ekonomisë

“Të gjithë duhet t’i binden vendimit, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rënda. Në këto ditë Ministria e Jashtme do të hapë një libër zie brenda ministrisë për aksidentin e madh të ndodhur”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në seancën e Qeverisë u mor vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike (klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tre ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.

Qeveria mori vendim për aktivizimin e mekanizmit për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, vizitoi të plagosurit dhe shprehu keqardhjen e thellë për humbjen e jetëve të shumë të rinjve. Ajo shtoi se autoritetet shëndetësore nga Serbia dhe Bullgaria kanë ofruar asistencë për të ndihmuar në përballimin e pasojave të kësaj tragjedie.

59 të rinj kanë humbur jetën si pasojë e flakëve që kanë përfshirë një lokal nate. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të 16 marsit, në një klubin e natës “Koçani Puls” dhe si pasojë e flakëve 155 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Në diskotekë ishin rreth 1500 të rinj, duke ndjekur një performance nga bendi maqedonas DNA, një grup i famshëm vendas.