Kur kohët bëhen të vështira ekonomikisht, edhe njerëzit e ndershëm mund të tundohen të thyejnë rregullat.
Për bizneset që operojnë në një mjedis me presione të larta ekonomike, parandalimi i mashtrimeve nuk fillon duke identifikuar punonjësit problematikë, por duke kuptuar arsyet që i shtyjnë njerëzit drejt sjelljeve të pandershme.
Një studim i fundit, i bazuar në të dhëna të mbledhura në Kenia para dhe gjatë pandemisë së COVID-19, ofron një pasqyrë interesante mbi lidhjen mes vështirësive financiare dhe ndershmërisë.
Përfundimi kryesor është i habitshëm: kur presioni ekonomik rritet, mashtrimi bëhet dukshëm më i përhapur.
Kur të ardhurat bien, rritet tundimi për të mashtruar
Përpara pandemisë, shumica e 5,500 kenianëve të përfshirë në studim refuzonin të gënjenin edhe kur mund të fitonin para lehtësisht. Kjo mbështet gjetjet e mëparshme sipas të cilave shumica e njerëzve kanë një prirje natyrore për të vepruar me ndershmëri.
Por situata ndryshoi kur pandemia përgjysmoi të ardhurat mujore të shumë familjeve dhe vështirësitë ekonomike vazhduan për një periudhë të gjatë.
Në këto kushte, niveli i mashtrimit për përfitim personal u rrit nga rreth 40% në mbi 90%.
Sipas Livia Alfonsi, profesore në Harvard Business School dhe bashkautore e studimit, ky nuk është një tregim për disa individë të pandershëm.
Kompanitë shpesh fokusohen te identifikimi i ‘mollëve të kalbura’, por gjetjet tona tregojnë se shumë njerëz që zakonisht sillen me ndershmëri mund ta ndryshojnë sjelljen e tyre kur përballen me presion të fortë ekonomik, veçanërisht kur përfitimi nga mashtrimi është i konsiderueshëm dhe rreziku i zbulimit është i ulët, thotë ajo.
Ky nuk është një tregim për disa individë të pandershëm, por për mënyrën se si kushtet ekonomike mund të ndryshojnë sistematikisht sjelljen njerëzore.
Një eksperiment për të matur mashtrimin
Studimi u bazua në të dhënat e 5,664 pjesëmarrësve të përfshirë në një projekt afatgjatë kërkimor në Kenia, i cili ndjek prej 25 vitesh historikun e punësimit, të ardhurat, kursimet, investimet dhe kushtet sociale të më shumë se 15,000 personave.
Për të identifikuar sjelljet mashtruese, studiuesit përdorën një eksperiment të njohur si “mind game”.
Pjesëmarrësve iu kërkua të parashikonin në mendje rezultatin e pesë hedhjeve të monedhës dhe ta deklaronin parashikimin vetëm pasi rezultati të ishte zbuluar. Sa më shumë rezultate fituese të deklaronin, aq më i lartë ishte shpërblimi.
Duke qenë se studiuesit e dinin shpërndarjen statistikore të rezultateve të pritshme, ata mund të vlerësonin me saktësi nivelin e mashtrimit në grup.
Çfarë i shtyn njerëzit të mashtrojnë?
Analiza nxori në pah disa faktorë kryesorë.
Sa më i madh përfitimi, aq më i madh mashtrimi
Kur shpërblimi për një përgjigje fituese u rrit nga 40 në 200 shilinga keniane, niveli i mashtrimit u rrit nga 42% në 71%.
Vështirësitë ekonomike luajnë rol vendimtar
Pandemia solli pasiguri financiare afatgjatë, mungesa ushqimore dhe rënie të të ardhurave, veçanërisht në zonat urbane.
Personat me të ardhura më të ulëta rezultuan më të prirur për të thyer rregullat sesa ata me të ardhura më të larta.
Krahasuar me periudhën para pandemisë, niveli i mashtrimit u rrit me 67%, duke kaluar nga 43% në 72%.
Mashtrimi përhapet gradualisht
Një nga gjetjet më interesante është se sjelljet e pandershme nuk u rritën menjëherë me fillimin e krizës.
Ato u përhapën gradualisht gjatë më shumë se një viti.
Sipas Alfonsit, kur njerëzit jetojnë për një kohë të gjatë nën presion financiar, sjelljet që më parë konsideroheshin të papranueshme fillojnë të normalizohen.
“Mashtrimi nuk u rrit menjëherë në fillim të krizës dhe më pas të zbehej. Ai u shtua gradualisht gjatë më shumë se një viti, duke treguar se rreziku më i madh nuk është në fillim të një krize ekonomike, por më vonë, kur presioni i vazhdueshëm fillon të gërryejë normat sociale,” thotë ajo.
Çfarë mund të bëjnë kompanitë?
Sipas studiuesve, rezultatet kanë implikime të drejtpërdrejta për bizneset.
Kur punonjësit raportojnë vetë orët e punës, menaxhojnë para në dorë, përpunojnë shpenzime apo trajtojnë kërkesa financiare, kushtet mund të jenë të ngjashme me ato të eksperimentit: informacion privat, mundësi përfitimi dhe mbikëqyrje e kufizuar.
Për të reduktuar rrezikun e sjelljeve të pandershme, kompanitë mund të ndërmarrin disa hapa.
Kufizoni tundimin
Sistemet duhet të projektohen në mënyrë që përfitimet nga manipulimet e vogla të mos jenë disproporcionale.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në fusha si inventari, prokurimet dhe transaksionet me klientët.
Verifikoni informacionin e vetëraportuar
Kontrollet e rastësishme dhe verifikimet e pavarura mund të ulin mundësitë për raportim të rremë dhe të rrisin gjasat e zbulimit.
Ulni presionin ekonomik
Shkurtimet e stafit, uljet e pagave, reduktimi i orëve të punës apo krizat ekonomike mund të ndryshojnë mënyrën se si punonjësit peshojnë kostot dhe përfitimet e mashtrimit.
Kur njerëzit ndihen më të sigurt financiarisht, presioni për të thyer rregullat zvogëlohet.
Mbështesni prirjen natyrore për ndershmëri
Një nga mesazhet më optimiste të studimit është se shumica e njerëzve nuk mashtrojnë në kushte normale, edhe kur kjo mund t’u sillte përfitime financiare.
Prandaj kompanitë nuk duhet ta trajtojnë mashtrimin si diçka të pashmangshme.
Përkundrazi, ato duhet të krijojnë mjedise pune që mbështesin sjelljen e ndershme dhe u japin punonjësve mundësinë të kërkojnë ndihmë kur përballen me vështirësi financiare apo personale.
Kanale të hapura komunikimi dhe mbështetja e hershme mund të jenë po aq të rëndësishme sa mekanizmat formalë të kontrollit.
Në fund, studimi sugjeron se sjellja e pandershme nuk është gjithmonë çështje karakteri. Shpesh, ajo është pasojë e kushteve ekonomike dhe e presioneve me të cilat përballen njerëzit.
Për bizneset, kjo do të thotë se lufta kundër mashtrimit nuk fitohet vetëm me më shumë kontroll, por edhe duke krijuar kushte më të mira për punonjësit./Monitor