Ish-presidenti legjendar i Interit, Massimo Moratti, është shtruar në terapi intensive në një spital në Itali pas komplikacioneve të shkaktuara nga pneumonia.
Sipas mediave italiane, gjendja e tij nuk është kritike, por konsiderohet serioze pasi mjekët kanë vendosur ta intubojnë për shkak të vështirësive në frymëmarrje.
Moratti, i cili festoi 80-vjetorin në maj, kishte mbledhur për ditëlindjen e tij shumë prej yjeve që kanë shkëlqyer me Interin, mes tyre Ronaldo, Vieri, Recoba, Pirlo dhe protagonistët e tripletës historike të vitit 2010.
Massimo Moratti bleu Interin në vitin 1995 nga Ernesto Pellegrini dhe e udhëhoqi klubin drejt një epoke të lavdishme, duke arritur kulmin me fitimin e tripletës në vitin 2010: Champions League, Serie A dhe Kupën e Italisë, një sukses i papërsëritur nga asnjë klub tjetër italian. Në total, gjatë presidencës së tij, Interi fitoi 16 trofe.
Moratti i përket një prej familjeve më të pasura në Milano, duke trashëguar nga babai i tij Angelo grupin energjetik “Saras”, ndërsa është gjithashtu pronar i kompanisë “Sarlux”, e specializuar në prodhimin e energjisë elektrike nga mbetjet e naftës. Ai është diplomuar në Shkenca Politike në universitetin LUISS Guido Carli.
Gjendja e tij shëndetësore po monitorohet nga afër nga mjekët, ndërsa bota e futbollit ka shprehur shqetësimin dhe mbështetjen për ish-presidentin që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Interit.