U arrestua njëri prej autorëve të ngjarjes së bujshme në zonën e Astirit, më 9 janar të këtij viti. Në pranga ra Ermal Binjaku, 36 vjeç, banues në kryeqytet, me precedentë penalë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në bashkëpunim me të tjerë të shpallur në kërkim, mbajtën të izoluar shtetasen S.Q., 21 vjeçe në një apartament në Astir.
Ermal Binjaku nuk është emër i panjohur për policinë. Ai rezulton të jetë dënuar për sigurim kushtesh në vrasjen e Denis Kasajt në janar 2016 në Fier ndërsa mbetën të plagosur dy miqtë e tij, Elton Margariti dhe Klement Kastrati, të cilët udhëtonin me të. Në korrik 2023 u arrestua teksa lëvizte me makinë me një shtetas në kërkim për vjedhje me dhunë.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Kapet dhe ndalohet një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së ndodhur me datë 09.01.2025, në Astir.
Si rezultat i hetimeve intensive, bazuar dhe në informacionet e marra falë inteligjencës policore, nga Strukturat e DVP Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. B., 36 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë të shpallur në kërkim, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në një apartament në Astir.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.
Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.