Aktualitet

Arrestohet në Ksamil “Vis Korçari”, i shumëkërkuar me rrezikshmëri të lartë!

Një 34-vjeçar i shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore u arrestua në Ksamil gjatë operacionit policor të koduar “Fast” e të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Në pranga ra Elvis Koçi i njohur si “Vis Korçari”. Kur tentoi të shmangej, përplasi dy automjete policie.

Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila e ka dënuar me 4 vjet burg për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Nga dënimi, i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.