Një person i shpallur në kërkim për vrasje në Patos dhe në Belgjikë u arrestua në Ohio të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në pranga ra Sokol Hoxha, 51 vjeç.
Në vitin 1997, akuzohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër, vrau me armë zjarri dy vëllezër në Patos. Për këtë krim, Gjykata e Fierit e dënoi në vitin 2000 me 25 vjet burg për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim. Viktimat ishin vëllezërit H.B. dhe I.B. Krimi u krye për motive të dobëta.
Pesë muaj pas vrasjes së dy vëllezërve, 51-vjeçari akuzohet se vrau një shtetase shqiptare në Bruksel, të cilën e shfrytëzonte për prostitucion. Për këtë ngjarje, Gjykata e Brukselit e dënoi në vitin 2010 me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Arrestimi i tij në Ohio u realizua pas shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit mes Interpol Tiranës e Njësisë së Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU, me përfshirjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Policia e Shtetit po punon ngushtë me agjencitë ligjzbatuese të SHBA-së për të siguruar kthimin e 51-vjeçarit dhe për t’u përballur me drejtësinë në Shqipëri.