Bota

Mbi 100 fitues të Nobelit kërkojnë lirimin e aktivistit bjellorus Byalyatski!

Janë 103 fitues të Çmimit Nobel që nënshkruan një letër duke kërkuar lirimin e fituesit të Nobelit të Paqes për vitin e kaluar, Ales Byalyatski. Në këtë letër, aktivisti bjellorus për të drejtat e njeriut përshkruhet si simbol shprese dhe frymëzimi për kolegët në të gjithë botën. Apeli për lirimin e tij është publikuar në faqen e klubit ndërkombëtar PEN International.

Në letër theksohet:

Ales Byalyatski ia kushtoi jetën promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Bjellorusi, duke guxuar të thërriste Aleksander Lukashenkon që të jepte llogari për shtypjen e tij të pamëshirshme, të vazhdueshme e sistematike të zërave të pavarur.

Mes firmëtarëve janë fituesit e çmimit në Kimi, Mjekësi, Fizikë, Ekonomi, Letërsi dhe Paqe. Astronomi 87-vjeçar Robert Woodrow Wilson dhe mikrobiologu 91-vjeçar Hamilton Smith, të cilët e fituan Nobelin në vitin 1978, gjithashtu firmosën. Të njëjtin hap ndoqën edhe dy rusë, Dmitry Muratov e fizikanti Konstantin Novosyolov.

Autorët e letrës kërkojnë lirimin dhe rënien e akuzave jo vetëm ndaj Byalyatskit, por edhe ndaj anëtarëve të tjerë të organizatës për të drejtat e njeriut Viasna, të themeluar prej tij.

60-vjeçari Byalyatski u nderua me Çmimin Nobel për Paqe vitin e kaluar, për punën e tij për të drejtat e njeriut. Ai mbahet në burg që nga viti 2021. Aktivisti veteran u dënua me 10 vjet heqje lirie në muajin mars, me akuza për kontrabandë dhe evazion fiskal e për organizim të protestave kundër liderit autoritar, Alyaksander Lukashenko.

Ata që mbrojnë të drejtat e njeriut, si dhe qeveritë perëndimore e kanë quajtur dënimin të motivuar politikisht. Me nismën e aktivistëve të të drejtave të njeriut, dje në Bjellorusi u shënua Dita e Solidaritetit me të Burgosurit Politik. Aksione në mbështetje të tyre u zhvilluan në dhjetëra qytete europiane.

Sipas organizatës Viasna, të paktën 1 mijë e 525 të burgosur politikë mbahen në burgjet e Bjellorusisë.