Bota

Mbi një milion vdekje me COVID-19 në SHBA prej fillimit të pandemisë

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se një milion vdekje me koronavirus, ka thënë Shtëpia e Bardhë. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka urdhëruar që flamujt të ulen në gjysmë-shtizë.

Kjo është shifra më e lartë e viktimave me koronavirus që ka regjistruar ndonjë shtet deri më tani, ndonëse Organizata Botërore e Shëndetësisë beson se shifra e vërtetë mund të jetë shumë më e lartë.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se 80 milionë raste të infektimit me koronavirus.

SHBA ka një popullsi prej 330 milionë banorësh.

Rasti i parë është konfirmuar më 20 janar të vitit 2020, pasi një burrë ka udhëtuar nga Vuhani i Kinës për në Sietëll.

Në pikun e pandemisë, autoritetet amerikane kanë regjistruar deri në 4,000 vdekje në ditë.

Ekspertët e shëndetit publik kanë dhënë një mori arsyesh për numrin e lartë të viktimave, duke përfshirë shkallën e lartë të obezitetit dhe hipertensionit, sistemet e mbingarkuara nëpër spitale, hezitimin për t’u imunizuar dhe një përqindje të konsiderueshme të popullsisë së moshuar.

Ndërsa Amerika po shkon drejt heqjes totale të masave anti-COVID, Korea Veriore është në izolim të ashpër pas rasteve të para zyrtare me COVID-19

Korea Veriore ka urdhëruar masë të ashpër izolimi, pas konfirmimit të rasteve të para zyrtare me koronavirus.

Media shtetërore ka raportuar për një shpërthim të variantit Omicron në Phenian, mirëpo nuk dihet numri i saktë i infektimeve.

Sipas saj, lideri verikorean, Kim Jong-un, është zotuar për të zhdukur pandeminë, të cilën e ka quajtur “emergjencë të rëndë kombëtare”.

Mirëpo vëzhguesit besojnë se koronavirusi ka qenë moti prezent në këtë shtet.

Ata besojnë se ky shtet me popullsi prej 25 milionë banorësh është i cenueshëm, pasi Koreja Veriore nuk ka dhënë vaksina kundër koronavirusit dhe ka refuzuar furnizimet me vaksina nga prodhuesit AstraZeneca dhe Sinovac.

Mënyra e vetme e Koresë Veriore për të luftuar koronavirusin ka qenë përmes mbylljes së kufijve të jashtëm prej janarit të vitit 2020.

Autoritetet verikoreane kanë vënë edhe ndalesa në importimin e disa produkteve, çka ka ndikuar në mungesa në ushqim dhe dobësim të ekonomisë.