Aktualitet

Mbyllet numërimi në Pukë, fiton kandidati i “BF”, Rrok Doda/Shkon në 7 numri i bashkive që mbyllin numërimin!

Shkon në shtatë numri i bashkive ku ka përfunduar numërimi i votave, një ditë pas zgjedhjeve vendore. Pas Elbasanit, Kamzës, Vorës, ku numërimi sikurëse votimi ishte elektronik, si dhe Delvinës, Pustecit e Selenicës, sapo u mbyll numërimi në Bashkinë Punë.

Ndryshe nga gjashtë bashkitë e para ku fituan kandidatët e Partisë Socialiste, në Pukë u shpall fitorja e Rrok Dodës i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Doda siguroi 3 mijë e 480 vota kundrejt 2 mijë e 507 të rivalit socialist Gjon Gjonaj.

Me synimin që rezultati i zgjedhjeve vendore të dalë brenda mbrëmjes së sotme, me forcën që i jep ligji, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi urdhëroi që KZAZ-të të zhvillojnë në mënyrë të pandërprerë numërimin e votave për kandidatët për kryetarë bashkie e të këshillave bashkiakë.

KZAZ-të të marrin masa për zëvendësimin në kohë të anëtarëve të grupeve të numërimit nëse është rasti.

KZAZ-të të plotësojnë e të administrojnë në mënyrë të saktë tabelat e rezultatit dhe çdo dokument tjetër zgjedhor, si dhe t’i përcjellin në KQZ nëpërmjet sistemit përkatës të transmetimit të të dhënave.

KZAZ-të të sigurojnë kushtet që çdo votë të numërohet dhe vlerësohet, të vëzhgohet nëpërmjet teknologjisë mbështetëse.

Tashmë, numërimi vijon në 54 bashki, në 47 prej tyre kryesojnë kandidatët e Partisë Socialiste. Në 7 të tjera të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”.