Në dekadën e fundit, shkolla të tëra janë mbyllur, teksa vit pas viti, klasat po boshatisen nga nxënësit si rrjedhojë e procesit të plakjes së popullsisë, me rënie të mprehtë të lindjeve dhe emigrim të lartë të moshave të reja. Zhvillimet demografike e kanë përmirësuar ndjeshëm raportin nxënës për mësues, sidomos vitet e fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin shkollor 2023-2024, një mësues në para-universitar mësoi mesatarisht 11.4 nxënës, nga 18.9 në vitin 2000 dhe 16.1 më 2010-ën.
Faktet tregojnë se rënia e numrit të nxënësve për mësues nuk e ka përmirësuar as cilësinë e arritjeve mësimore dhe as ngarkesën për trupën arsimore. Shqipëria mori rezultate shumë të dobëta në Vlerësimin ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) që u krye më 2022-shin. Në matematikë morën 368 pikë, 69 më pak se në testin e 2018-ës dhe 21 pikë më pak se më 2012-ën. Në letërsi morën 358 pikë, 47 më pak se më 2018-ën e 35 më pak se më 2012-ën. Edhe në shkenca, rënia ishte e ngjashme.
Nga ana tjetër, mësuesit pohojnë se ngarkesa në punë, që nuk ka lidhje me mësimdhënien, është rritur ndjeshëm.
B.Sh mësuese e lëndës së Letërsisë në një nga gjimnazet e qarkut Korçë, tha se ngarkesa që lidhet me dokumentacionin është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Gjithnjë e më shumë, pjesa burokratike po merr përkushtimin e mësuesve në disfavor të mësimdhënies. Digjitalizimi i dokumentacionit është kthyer në makth e stres për mësuesit më të vjetër që nuk janë brezi i teknologjisë.
Me një tranzicion që nuk po mbaron, mësuesit kanë humbur armën e tyre më të fortë që siguron arritjet mësimore “autoritetin”.
Mësuesi B. M. që jep lëndën e Biologjisë në Bashkinë e Kukësit, thotë se autoriteti i mësuesit ka rënë në nivele shqetësuese.
Mësuesi aktualisht është një figurë që cenohet nga çdo palë, si politika, drejtuesit arsimorë, prindërit dhe nga nxënësit. Klasat po bëhen të pamenaxhueshme nga zhurmat apo sjellja e nxënësve. Në shumë raste, mësuesi luan rolin e policit dhe jo mësuesit.
“Presioni i prindërve është rritur, liria e nxënësve e ka bërë të pamenaxhueshëm mësimin dhe autoriteti i mësuesit ka rënë”, u shpreh A.K, mësuese në Tiranë.
Kur kam filluar punën në vitet 2000 kishte më shumë respekt për figurën e mësuesit, si nga nxënësit dhe prindërit. Mësuesi gëzonte mbështetje dhe kjo na bënte më efektiv në shkollë. Tani, mësuesi nga një autoritet absolut në shkollë është kthyer në qendër sulmi.
Prindërit gjithnjë janë kthyer në mburojë të tepërt për fëmijët. Në shumë raste, duke mos përmbushur detyrat prindërore në shtëpi (të mos lejojnë pa kriter teknologjinë) akuzojnë stafin e shkollës, thotë mësuesja e matematikës N.M.
Pothuajse të gjithë mësuesit e intervistuar pohojnë se politika ndërhyn shumë në shkollë dhe karriera nuk bëhet me meritë, por me njohje dhe kontribute politikë. Tani kur bota po hyn në një revolucion teknologjik, shkollat shqiptare ende vuajnë nga infrastruktura bazike dhe për më tepër, financimet që jep qeveria shqiptare nuk sigurojnë përmirësimin në të ardhmen.
Shkollat shqiptare po vuajnë boshatisjen dhe rënien e cilësisë. Ndërmjet viteve 2010-2023, numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ra me 34% ndërsa i mësuesve, me 7./Monitor