Policia vuri në pranga shoferin e mjetit që rreth mesnate përplasi për vdekje 17 vjeçarin në Vlorë. Sipas bluve, 32 vjeçari ishte në gjendje të dehur dhe mbi të rëndojnë dy vepra penale: “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin H.B., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 28.10.2025, rreth orës 00:15, në bulevardin “Ismail Qemali”, duke drejtuar automjetin tip “Porsche”, në gjendje të dehur, është përplasur me motomjetin tip “Trinity”, me drejtues një shtetas të mitur, 17 vjeç, i cili si pasojë, ka ndërruar jetë.
Gjyshi i 17 vjeçarit tha sot se nipi i tij po kthehej nga puna dhe hodhi akuza se makina që e aksidentoi po ecte me 200 km/orë. Më herët, familjarët u revoltuan me vonesat në dorëzimin e trupit të pajetë. Pranë Morgut të Vlorës iu desh të prisnin me orë të tëra pas aksidentit.
Më është aksidentuar djali i vajzës, jam gjyshi. Mbrëmë në 12 të natës është aksidentuar. Kemi ardhur në morgun e Vlorës, prej 8 orësh. Nuk vjen mjeku ligjor të bëjë punën. Shteti po na kthen shpinën. Nuk vjen as prokuroi dhe as mjeku ligjor.
30 policë këtu dhe nuk merr njeri masa. Një makinë na ka vrarë djalin, në bulevardin kryesor, ka ikur me 200 km/orë. Asnjë patrullë policie nuk i ka dalë përpara. Nuk më japin djalin ta shoh, nipi nuk është kriminel.