Një tjetër aksident rrugor u regjistrua sot në aksin Bulqizë-Gjoricë ku nga përplasja e dy automjeteve u plagosën katër persona, dy drejtuesit dhe dy pasagjerët në njërën prej makinave. Të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor në vendngjarje vijon punën për përcaktimin e shkaqeve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, i katërti për sot.
Njoftimi:
Bulqizë / Informacion paraprak
Në aksin rrugor Bulqizë-Gjoricë janë përplasur dy automjete me drejtues shtetasit S.A. dhe B.T.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar lehtë dy drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjerë që ndodheshin në automjetin e shtetasit B.T., të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për përcaktimin e shkaqeve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Më herët gjatë ditës u shënuan tre aksidente, me një viktimë dhe tre të plagosur, mes tyre dy shtetas francezë. Rreth orës 09:50, në rrugën “Skënderbeu” në Golem, një 19 vjeçar humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke aksidentuar një këmbësore 56 vjeçare, e cila ndërroi jetë. Shkak, lagështira në rrugë.
Një tjetër aksident rrugor ndodhi në qendër të Fierit, ku një kalimtare u lëndua lehtë nga përplasja e dy makinave. E plagosura u dërgua në spital. Po punohet për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.
Ndërkaq, dy turistë francezë u përfshinë në aksident në aksin Pogradec-Korçë, te kryqëzimi i fshatit Çerravë dhe me autoambulancë u dërguan për në Spitalin e Traumës në kryeqytet pasi morën ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Pogradecit. Me motor, udhëtonin nga Korça drejt Pogradecit kur pranë kryqëzimit të Çerravës, një mjet tip BMW iu preu rrugën duke shkaktuar përplasjen.