Bota

Meksikë: Sulm i armatosur në një fushë futbolli, 11 të vdekur dhe 12 të plagosur!

Sulm i armatosur në një fushë futbolli në Meksikë, 11 viktima e 12 të plagosur në shtetin qendror Guanajuato. Ky është një nga sulmet më të dhunshme në vend, i ndërmarrë nga grupet e krimit të organizuar. Autoritetet lokale saktësuan se ndodhi në qytetin Salamanca.

Vdekja e 11 personave është konfirmuar. 10 prej tyre vdiqën në vendngjarje dhe një tjetër ndërsa merrte trajtim mjekësor në spital. 12 persona u plagosën nga të shtënat me armë zjarri dhe aktualisht po trajtohen nga bluzat e bardha.

Të shtunën në mbrëmje, katër çanta që përmbanin mbetje njerëzore u braktisën në të njëjtin qytet. Guanajuato është një qendër industriale me fabrika montimi automjetesh dhe atraksione të shumta turistike, ku grupe të ndryshme të krimit të organizuar konkurrojnë për kontrollin e trafikut të drogës e vjedhjes së karburantit.

Në kërkim të vrasësve

Zona e sulmit në Salamanca u izolua nga forcat e Gardës Kombëtare, ushtrisë dhe atyre të sigurisë shtetërore. Një operacion kërkimi në shkallë të gjerë nisi menjëherë për të identifikuar vrasësit. Qeveria lokale e dënoi incidentin, duke shprehur solidaritet me familjet e prekura dhe premtoi angazhim maksimal për të rivendosur paqen në një rajon të prekur nga dhuna. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm po mbledh prova në vendngjarje për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat e sulmit.