Bota

Merkel e Macron bisedë online me Putin, ja temat e diskutimeve!

Mundësia e bashkëpunimit mbi vaksinën anti-COVID ishte në fokus të një diskutimi mes presidentëve të Francës e Rusisë, si dhe kancelares gjermane. Emmanuel Macron e Angela Merkel diskutuan me Vladimir Putinin mbi perspektivën e miratimit në Bashkimin Evropian të vaksinës ruse Sputnik V, për t’u furnizuar me të e po ashtu që ta prodhojnë bashkërisht.

Macron dhe Merkel gjatë bisedës përmes video-lidhjes me presidentin rus, i kanë bërë thirrje atij që të respektojë të drejtat e kundërshtarit politik Aleksei Navalny dhe të ruajë shëndetin e tij. Gjithashtu, në një lidhje online ata folën për situatën në Ukrainë, Bjellorusi, Libi e Siri, si dhe ranë dakord të ko’ordinojnë përpjekjet në mënyrë që Irani t’iu rikthehet detyrimeve ndërkombëtare mbi programin bërthamor.

Rikujtojmë, se para disa ditësh për herë të parë në vendin tonë kanë mbërritur 10.000 vaksina ruse anti-COVID Sputink-V, dhuratë nga Muhammed Bin Zayed princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara. Ndërkaq, Presidenti amerikan, Joe Biden iu ka kërkuar amerikanëve të respektojnë masat paraprake anti-COVID ndërsa po zgjerohen përpjekjet për më shumë vaksinime kundër koronavirusit.

Në Amerikën që është vendi më i goditur në botë nga pandemia, autoritetet nuk e fshehin shqetësimin për një valë të katërt të infektimeve dhe vdekjeve. Presidenti Biden tha se deri më 19 prill, 90% e të rriturve në Shtetet e Bashkuara do të kualifikohen për vaksinën ndaj koronavirusit.