Në Kongresin Amerikan, sot Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi përfundimisht kërkesën e presidentit Donald Trump për të tërhequr rreth 9 miliardë dollarë nga fondet për ndihmat e Shteteve të Bashkuara në botë, si dhe për transmetuesit publikë. Paketa për shkurtime financiare kaloi me 216 vota pro e 213 kundër dhe pritet t’i dërgohet Trump-it për t’u nënshkruar në ligj.
Votimi erdhi pasi paketa u ndryshua këtë javë nga Senati për të përjashtuar shkurtimet rreth 400 milion dollarëshe për programin global në luftën kundër HIV/AIDS-it, PEPFAR. Ishte hera e parë pas dekadash që një president ka arritur me sukses të paraqesë një kërkesë për anulim fondesh dhe Shtëpia e Bardhë la të kuptohej se nuk do të jetë e fundit.
Disa republikanë ishin të shqetësuar për shkurtimet, por gjithsesi i mbështetën, duke mos dashur ta zemërojnë Trump-in e as ta kundërshtojnë agjendën e tij.
Duhet të rikthehemi te sensi fiskal dhe ky është një hap i rëndësishëm, tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.
Kundërshtarët shprehën shqetësime jo vetëm për programet e prekura, por edhe për faktin se Kongresi po i dorëzonte kompetencat e tij për shpenzimet, degës ekzekutive. Investimet e miratuara në mënyrë dypartiake po anuloheshin me vota të ndara sipas vijës partiake.
Ata thanë se përpjekjet e mëparshme për anulim kishin pasur të paktën mbështetje të pjesshme dypartiake dhe e përshkruan paketën republikane si “të paprecedentë”. Asnjë demokrat nuk e mbështeti paketën kur kaloi në Senat me 51 vota pro e 48 kundër, dje në orët e para.
Paketa anulon rreth 1.1 miliardë dollarë për Korporatën për Transmetimin Publik dhe gati 8 miliardë dollarë për një sërë programesh për ndihmat jashtë vendit, shumë prej të cilave synojnë t’i ndihmojnë vendet që përballen me thatësira, sëmundje e paqëndrueshmëri politike.
Ndër shkurtimet për ndihmat amerikane në botë përfshihen: 800 milion dollarë për një program që ofron strehim emergjent, ujë dhe ribashkimin e familjeve për refugjatët, 496 milion dollarë për të siguruar ushqim, ujë dhe kujdes shëndetësor për vendet e goditura nga katastrofat natyrore e konfliktet.
Gjithashtu përfshihet një shkurtim prej 4.15 miliardë dollarësh për programet që synojnë forcimin e ekonomive dhe institucioneve demokratike në vendet në zhvillim.
Shtëpia e Bardhë argumentoi se shumë nga këto shkurtime do të nxisnin vendet e tjera të marrin më shumë përgjegjësi në përballjen me krizat humanitare dhe se anulimi i fondeve i shërben më së miri taksapaguesve amerikanë.