Nga qelia ku qëndron i arrestuar prej tetorit të vitit të kaluar, Ilir Meta ka shpërndarë një postim në rrjetet sociale, duke shprehur besimin se koalicioni “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do të fitojë në parlamentaret e 11 Majit.
Presidenti i Partisë së Lirisë thekson se ky koalicion do të nisë garën me numrin 1 dhe do të dalë i pari, duke siguruar një fitore madhështore. Sipas tij, fitorja do të fillojë nga Tirana e do të përqafojë të gjithë Shqipërinë, si një flamur shprese për të ardhmen.
Postimi i Metës:
Koalicioni ynë, “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, starton garën me numrin 1.
Koalicioni ynë del po i pari më 11 Maj me një fitore madhështore! Më 11 maj fitorja plebishitare fillon nga Tirana dhe do të përqafojë të gjithë Shqipërinë si një flamur madhështor shprese!
Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton fletën e votimit për parlamentaret e 11 Majit. Sipas renditjes me short, e 5-ta renditet Partia Socialiste, ndërsa koalicioni “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, i pari. E dyta “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit dhe Lëvizja “Atdheu” e treta. Lidhur me miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve do të zhvillojë seancë publike, në orën 16:00.