Struktura drejtuese e “Djallit” ka ndryshuar formë, por ambiciet mbeten në nivelet më të larta.
Me një organigramë të re të pronarëve të Red Bird që ka lënë disi vakant rolin tradicional të drejtorit sportiv, peshën e merkatos po e mban gjithnjë e më shumë trajneri i ri, Ruben Amorim. Por, për të ngritur një skuadër të denjë për trofe, tekniku luzitan ka gjetur “aleatin” e përsosur: super-agjentin Jorge Mendes.
Bashkëpunimi i ngushtë mes tyre pritet t’i japë Milanit një pamje krejt të re dhe një theks të fortë portugez. Objektivi primar i merkatos mbetet maja e sulmit, aty ku emri më i lakuar është ai i Gonçalo Ramos. Paris Saint-Germain kërkon rreth 45 milionë euro për 25-vjeçarin. Ndonëse kjo është një shifër që Milani ende nuk e ka prekur, dhe lojtari kërkon një pagë prej rreth 4 milionë eurosh në sezon, statistikat e tij me një mesatare prej 25 golash në vit e bëjnë një investim të sigurt. Pikërisht këtu ndërhyrja e Mendes konsiderohet thelbësore: për të mbyllur marrëveshjen me shpejtësi, për të shmangur ankandet nga klubet e tjera dhe për të bindur sulmuesin të zgjedhë projektin e Amorimit.
Por plani nuk ndalet këtu. Tekniku dëshiron me çdo kusht rikthimin e një bashkëpunimi të vjetër, atë me Pedro Gonçalves. Fantazisti i Sportingut të Lisbonës, i cili është në një farë mënyre një zbulim i vetë Amorimit, vlerësohet si thelbësor falë vizionit, driblimit dhe aftësisë për të dhuruar gola e asiste. Dyshja Ramos-Gonçalves po projektohet si arma kryesore e Milanit të ri.
Koha e sakrificave të mëdha
Për të balancuar llogaritë dhe për të financuar këto afrime të bujshme, klubi duhet të bëjë llogaritë me largimet e rëndësishme. I pari në listën e sakrificave pritet të jetë vetë Rafael Leao. Pas një sezoni që nuk përmbushi plotësisht pritshmëritë e tifozëve, sulmuesi mund t’i japë lamtumirën “San Siros”. Edhe në këtë rast, dorëzania e Jorge Mendes do të jetë kyçe për t’i gjetur një destinacion elitare dhe për t’i garantuar Milanit një arkëtim maksimal.
Gjithashtu, drejt fundit të aventurës duket edhe Santi Gimenez. Për sulmuesin ka pasur zëra për një interesim të Portos, apo edhe për një kalim në kampionatin amerikan (MLS), mirëpo mungojnë konfirmimet zyrtare dhe situata është ende në zhvillim.
Një gjë është e sigurt: Milani i ri ka nisur të marrë formë dhe strategjia po hartohet me kujdes në bashkëpunim me një nga njerëzit më të fuqishëm të tregut të futbollit.