Rusia nuk do të kthehet në G7 (grupin e shtatë shteteve më të industrializuara të botës) siç ka kërkuar presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Kjo u theksua nga ministri i Financave i Gjermanisë, Joerg Kukies.
G7-a e dënon shumë qartë luftën e agresionit të Rusisë, veçanërisht në përvjetorin e tretë të sulmit brutal nga Rusia, u shpreh Kukies në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, duke shtuar se “propozimi i Trump-it nuk do të sigurojë mbështetjen e nevojshme unanime”.
Kukies sot udhëton drejt Kejp Taunit, për samitin e ministrave të Financave të G20-ës e ku sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent do të mungojë, për shkak të angazhimeve të tjera. Gjendja aktuale e ekonomisë globale, temë kyçe e takimeve.
Ne duhet vërtet t’i rikthehemi rrugës së zhvillimit ekonomik, vuri në dukje Kukies. Gjermania“ka shumë detyra shtëpie për të bërë.
Kukies u emërua ministër i Financave nga kancelari në largim, Olaf Scholz, në nëntor, pasi koalicioni qeverisës i Scholz-it u rrëzua me votë mosbesimi dhe pritet të shërbejë në këtë post derisa të formohet një qeveri e re pas zgjedhjeve të së dielës, të cilat i fituan konservatorët e Friedrich Merz-it.
Një luftë tregtare ndërmjet SHBA-ve dhe Europës mund të shmanget, teksa të dyja palët janë të gatshme të negociojnë, tha Kukies. Askush nuk është i interesuar të nisë luftë tregtare.
Bashkimi Europian 27-anëtarësh mund të goditet veçanërisht rëndë nga plani i Trump-it për tarifa reciproke dhe që ka për qëllim të rrisë tarifat amerikane ndaj importit për t’i niveluar ato me tarifat dhe taksat e tjera të vendosura nga vendet e tjera.
Kukies shtoi se G7-a mund të diskutojë propozimet për t’i përdorur asetet ruse në vlerë prej 300 miliardë dollarësh, të ngrira në Europë për rindërtimin e Ukrainës.
Por bisedimet vetëm sa po fillojnë. Ndoshta është herët të thuhet diçka.