Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha po merr pjesë në forumin e Dubrovnikut në Kroaci, ku u prit fillimisht nga homologu i tij kroat Gordan Grlić Radman.
Në një postim në rrjetin social ‘X’, Hoxha e cilësoi këtë forum një platformë të rëndësishme për dialog mbi të ardhmen e Evropës, si dhe për sigurinë rajonale dhe sfidat globale.
‘Ky edicion i 19-të i Forumit është i përqendruar në temën: Epoka e Multipolaritetit: Shumë Drejtime, Një e Ardhme. Megjithatë, për Shqipërinë ka vetëm një drejtim që të çon drejt të ardhmes sonë: anëtarësimi në BE’, shkroi Hoxha.
‘Ndërsa përparojmë në këtë rrugë’, tha Ministri i Jashtëm, ‘ne mbetemi të përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal, mbështetjen e vlerave euroatlantike dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë për të ndërtuar një Evropë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begatë.’