Sot mbushen plot 10 vjet nga referendumi i 23 qershorit 2016 në Mbretërinë e Bashkuar. Në një dekadë krizash politike, pasigurish ekonomike dhe ndryshimesh në Downing Street, britanikët që ndryshuan kurs vijojnë të përballen me pasojat e Brexit-it.
Dhjetë vite më parë, Britania u zgjua me një vendim që askush, ndoshta edhe ata që e kishin dashur, nuk e prisnin. Brexit fitoi me 51.89%, një nga vendimet më të debatueshme në historinë moderne të Mbretërisë së Bashkuar.
Ajo që për mbështetësit ishte rikthim i sovranitetit kombëtar, u pasua me trazira politike, ndryshime të njëpasnjëshme në qeverisje, si edhe me një klimë pasigurie.
Nga David Cameron, i cili dha dorëheqjen pas votimit të vitit 2016, te Theresa May, Boris Johnson, Liz Truss, Rishi Sunak dhe i fundit, laburisti Keir Starmer, Downing Street, sipas shumë analistëve dhe opinionistëve, është kthyer në pasqyrë të paqëndrueshmërisë politike që shoqëroi epokën Brexit.
Por edhe ekonomia la gjurmët e saj në Britani pas Brexit-it. U konstatuan mungesa të fuqisë punëtore e rritje të kostos së jetesës, si dhe ngadalësim i investimeve, ndërsa debati për përfitimet dhe kostot e ndarjes nga Bashkimi Evropian ende mbetet i hapur.
10 vjet më pas, Brexit-i vijon të ndajë opinionin publik britanik.
Për disa është një fitore e pavarësisë kombëtare, ndërsa për të tjerë, fillimi i një periudhe pasigurie, pasojat e së cilës vazhdojnë të ndihen edhe sot.
Dhe sot, një dekadë më vonë, në Britaninë e Madhe, ku u votua për të dalë nga BE-ja, debati vijon të mbetet i hapur:
Fitoi apo humbi Mbretëria e Bashkuar?