Në Shqipëri, numri i fëmijëve po bie, ndërsa investimet në arsim dhe mbrojtje sociale mbeten më të ulëta krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Këto janë disa nga gjetjet e dokumentit më të ri të UNICEF-it për Shqipërinë, i cili përcakton prioritetet e bashkëpunimit me vendin për periudhën 2027–2031.
Sipas dokumentit, Shqipëria ka rreth 2.4 milionë banorë, ndërsa vetëm 19.1% e popullsisë janë fëmijë nga 0 deri në 17 vjeç, rreth 460 mijë në total. Në vitin 2011, fëmijët përbënin 26.4% të popullsisë. Sipas UNICEF-it, kjo rënie lidhet me lindshmërinë e ulët dhe emigracionin, ndaj nevojiten më shumë investime për fëmijët dhe të rinjtë.
Ndërkohë, vendi ka shënuar edhe disa përmirësime. Përqindja e fëmijëve që jetojnë në rrezik varfërie ka rënë nga 29.7% në vitin 2019 në 26.6% në vitin 2024. Gjithashtu, ka rënë edhe numri i të rinjve që nuk janë në punë, arsim apo trajnim, nga 27.9% në vitin 2020 në 22.2% në vitin 2024. Edhe vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç ka vazhduar të ulet.
Megjithatë, UNICEF thekson se Shqipëria investon më pak se vendet e Bashkimit Europian. Për arsimin shpenzohen vetëm 2.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mesatarja e BE-së është 4.6%. Edhe për mbrojtjen sociale vendi shpenzon 9.6% të PBB-së, ndërsa mesatarja europiane është 20.5%. Nga këto fonde, vetëm 5% përdoren për shërbimet e kujdesit social, ndërsa bashkitë shpenzojnë më pak se 2% të buxheteve të tyre për këto shërbime.
Fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët romë dhe egjiptianë, si edhe ata që jetojnë në zonat rurale, kanë më pak mundësi për të përfituar nga arsimi cilësor, shërbimet sociale dhe kujdesi shëndetësor.
Edhe pabarazia vijon të jetë një problem. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetet 12.5 pikë përqindje më e ulët se ajo e burrave, ndërsa Shqipëria vazhdon të jetë nën mesataren e Bashkimit Europian për barazinë gjinore.