Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj prezantoi sot përpara Kryeprokurores Arta Marku, rekomandimet prioritare në luftën kundër kriminalitetit. Ndërkaq ajo tha se: “Lufta me tolerancë zero ndaj korrupsionit, sekuestrimi e konfiskimi i të ardhurave me origjinë kriminale, apo pasurisë së pajustifikuar është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare, njëkohësisht edhe një nga kriteret që kushtëzon integrimin evropian të vendit. Largimi nga sistemi i prokurorëve të korruptuar do të ndihmojë pjesën e shëndoshë të prokurorëve, që t’i vlerësohet përkushtimi dhe puna e palodhur në luftën kundër kriminalitetit” u ka thënë Gjonaj prokurorëve, duke nënvizuar se ngritja e Prokrurorisë së Posaçme do t’i japë një tjetër dimension mënyrës së hetimit dhe procedimit të këtyre veprave. Rekomandimet janë miratuar nga Këshilli i Ministrave për vitin 2018. Lufta kundër krimit të organizuar, dhe korrupsionit në nivelet e larta, janë prioritetet e Qeverisë Shqiptare dhe rekomandimet më të rëndësishme që Ekzekutivi i bën organit të Prokurorisë.