Sport

Miqësoret e Kosovës, Foda çon zërin: Teste për shtatorin, por unë dua fitore dhe lojë

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka dhënë një mesazh të qartë për ekipin dhe tifozët para ndeshjes kundër Armenisë. Foda ka thënë se në këtë përballje nuk do të ketë eksperimente. Përkundrazi, synimi është vetëm fitorja.

Ndeshja miqësore Kosovë – Armeni luhet sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Nis në orën 19:00. “Qëllimi kryesor i yni është që këto dy ndeshjet t’i fitojmë. Nuk dëshirojmë të eksperimentojmë. Jemi duke u përgatitur mirë për fazën kualifikuese të Botërorit në shtator ndaj Zvicrës dhe Suedisë. Është shumë me rëndësi që në fushë të dalim me lojtarët më të mirë, të cilët i kemi përgatitur dhe do t’i ndjekim parimet tona”, ka thënë Foda të enjten në konferencën për media.

“Dardanët” janë të vendosur të fitojnë me armenët e më pas edhe me përfaqësuesen e Komoreve para sfidave më të vështira që i presin në shtator. Tekniku gjerman e ka cilësuar takimin si një mundësi të artë për lojtarët e rinj apo atyre që kanë pasur më pak hapësirë në të kaluarën te Kosova. “Lëndimet janë pjesë e futbollit, pjesë e përditshmërisë. Unë jam një trajner i cili punoj me lojtarët që janë në dispozicion, të gatshëm dhe me shëndet të mirë. Kur dihet që 3-4 lojtarë të rëndësishëm po mungojnë, do të tentojmë t’i zëvendësojmë ata lojtarë. I kemi 25 lojtarë të ftuar dhe kjo do të thotë se do t’i japim mundësi të tjera lojtarëve të tjerë që ta tregojnë veten para ndeshjeve të shtatorit”, është shprehur Foda.

Kosova, që do të përballet në eliminatoret e Botërorit 2026 me Zvicrën dhe Suedinë në shtator, ka në grup edhe Slloveninë. Foda është i vetëdijshëm se nuk ka hapësirë për gabime. Dhe për këtë arsye, çdo ndeshje, qoftë edhe miqësore, Foda thotë se ka vlerë të madhe. “Tani jemi duke u përgatitur për ndeshjet e radhës të cilat do t’i zhvillojmë në ditët e ardhshme. Jam i koncentruar plotësisht në lojtarët që i kam në dispozicion. Tani e kemi edhe seancën e fundit stërvitore, përfundimtaren.

Në këtë rast, do t’i aplikojmë gjitha metodat tona të punës, parimet tona të punës, do të jemi aktivë, do t’i bëjmë presion kundërshtarit, do të kemi një lojë mjaft agresive dhe do të tentojmë të luajmë lojë sa më ofensive. Qëllimi ynë kryesor është që paraqitja jonë si skuadër të jetë sa më kompakte dhe sa më stabile”, ka shtuar Foda. Ai ka theksuar se, në të ardhmen, ekipit të Kosovës do t’i bashkohen edhe lojtarë të rinj.