Rajoni

Mirosllav Lajçak në Prishtinë e Beograd për marrëveshjen Kosovë-Serbi!

Pasditen e sotme, i dërguari i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak nis me Prishtinën vizitën në rajon, për të diskutuar rrugët e zbatimit të një plani europian mbi normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Me një marrëveshje të ndërmjetme, diplomacia perëndimore po përpiqet të përmbyllë problemet e hapura midis Prishtinës e Beogradit. Ka një frikë se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet mes palëve për të nxitur destabilizim në Ballkanin që ende po ripërtërihet nga pasojat e luftërave të viteve ‘90.

Lajçak i cili sot e nesër do të qëndrojë në Prishtinë, ndërsa në fillim të javës së ardhshme shkon në Beograd, pritet të përqendrohet në sigurimin e një dakordësie rreth zbatimit të planit që nuk përfshin njohje reciproke, por kërkon që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës. Në prag të vizitës së Lajçakut në Prishtinë, Kurti u shpreh:

Pritshmëritë tona janë që të vazhdojnë përgatitjet për takimin e datës 18 mars me Vuçiçin e që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Të shohim si do të mund t’ia bashkangjisim propozimit europian një plan të mirëfilltë zbatues që duhet të karakterizohet nga gjithëpërfshirja dhe nga efikasiteti.

Në disa raste plani paraqet një platformë solide për të ecur përpara dhe gjithçka që na mundëson ecjen përpara është pozitive.

Isha i gatshëm ta nënshkruaja planin europian që më 27 shkurt, por kjo nuk ndodhi meqë pala serbe nuk ishte e gatshme për një gjë të tillë.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, i kritikuar nga opozita serbe se me planin europian do ta njohë Kosovën, tha se një nga pikat nënkupton që Serbia do ta lejonte Kosovën të anëtarësohej në Kombet e Bashkuara.

Prandaj nuk kam nënshkruar. Do të ketë më shumë bisedime.

Shtetet e Bashkuara thanë se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit europian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-  Serbi, ndërsa përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, thelbësor për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës.