Celebrities Live From Tirana Music

MIRUD tregon për TAR gjithçka rreth këngës “Për Dreq” si dhe risia që artisti pritet të sjellë në Festivalin e Këngës!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar në studio personazhi më ‘IN’ i Festivalit të Këngës këto 4 vitet e fundit, Mirudi. Këtë vit Mirudi vjen në Festivalin e Këngës me baladë, e quajtur “Për dreq”, përse kjo zgjedhje?

Mendoj që i këndoj më me shpirt se këngët ritmike. Më pëlqeu kjo fjalë “për dreq” që kam shkruar sepse më kanë shkuar për dreq shumë marrëdhënie. I dedikohet atyre marrëdhënieve. Unë në çdo këngë vijë më gjëra personale.

Cfarë impakti do të kemi këtë vit nga Mirudi në Festival?

Qëllimi im këtë vit është të këndoj bukur, sepse vokalisht vitin e kaluar kam qenë në tension, nuk kam kënduar bukur. Të dalë mirë vokalisht, skenikisht. Të tjerat nuk janë në dorën time. Do të qëndroj te i njëjti lloj arti që unë sjell, nuk dua të zbulojë më shumë por do të punoj me dikë nga Greqia, skenograf që ka punuar në Eurovision me artistë të ndryshëm. Nëse e ke fjalën për veshjen, diva po vjen fuqishëm(qesh). Nuk është e lehtë të fitosh sepse ka shumë këngë të bukura. Fokusi im është performanca dhe ta shijojë.

Kënga vjen e kompozuar nga Kledi Bahiti, përse kjo zgjedhje?

Kam dashur gjithmonë të punojë me të. Vitin e kaluar pata rastin ta takoj nga afër. E kam takuar me Anxhela Peristerin dhe kemi filluar ta punojmë këngën direkt pas festivalit. Është punuar që nga janari i këtij viti. Jam i lumtur që kam punuar me Kledin. E kam ndjerë që kjo këngë i duhet këtij festivali. Është kënga ime e preferuar nga i gjithë repertori im. Unë e kam qejf Eurovisionin, qëllimi final është të fitoj sepse e kam ëndërr. Unë jam fans i çmendur i Eurovisionit dhe kam qejf të punoj me artistë që kanë punuar aty. Më pëlqen muzika etnike shumë dhe do e fus në çdo këngë. Ka diçka në muzikën tonë që më lëviz gjakun.

Me kë do të donte ta sillte në bashkëpunim këngën ‘Për dreq’ Mirudi?

Me Anxhela Peristerin, jo për faktin se e kam mike shpirti por është shumë e talentuar, një nga këngëtaret më të mira shqiptare. Do thoja të njëjtën gjë edhe për Aurela Gaçen, e kam qejf, e kam patur gjithmonë dhe është arsyeja që jo vetëm unë por shumë të tjerë këndojnë sot.

Kënga e Ronela Hajatit, e Mirudit dhe e Alban Ramosaj shihen si favorite për të fituar, çfarë mendon artisti për këtë?

Nuk e di se janë këngë të ndryshme. Unë i dua këngët e tyre sepse janë shumë të bukura. Nuk mendoj që është e drejtë të favorizohen 2-3 këngë sepse dhe artistët e tjerë shpenzojnë shumë kohë për realizimin e projekteve të tyre, investojnë kohë dhe energji. Fitoft më i miri.