Gazetari Alberti Limani ka reaguar pas një incidenti të ndodhur gjatë festimeve për performancën e Shqipërisë në Eurovision, në Qendrën e Mediave në Vjenë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Limani tregoi se teksa po festonte së bashku me kolegë të tjerë, një grua nga delegacioni i Serbisë është afruar dhe ka kërkuar largimin e flamurit të Kosovës, me pretendimin se “nuk lejohej” në ambientet e eventit.
Sipas gazetarit, gruaja tentoi të prekte flamurin, por ai nuk e lejoi dhe situata përfundoi pa incidente të tjera.
Në reagimin e tij publik, Limani theksoi se flamuri i Kosovës “do të valëvitet dhe do të lejohet gjithkund”, duke shtuar se ai dhe kolegët e tij do ta mbrojnë atë “me çdo kusht”.
‘Derisa po festonim bashkë me kolegë të tjerë paraqitjen e Shqipërisë në Eurovision, në Qendrën e Mediave në Vjenë, një grua nga delegacioni i Serbisë erdhi dhe tentoi të na e heqë flamurin e Kosovës, duke na thënë se “ky flamur nuk lejohet këtu”. Sigurisht, ajo tentoi ta prekë, por nuk e lejova dhe u kthye mbrapsht. Flamuri i Kosovës do të valojë dhe do të lejohet gjithkund, ndërsa ne do ta mbrojmë me çdo kusht’, shkruan Limani.