Botë e Çuditshme Lifestyle

‘Misteret’ e Piramidës së Madhe të Gizës, zbulohet një korridor i fshehur!

Një korridor i fshehur 9 metra është zbuluar pranë hyrjes kryesore të Piramidës së Madhe 4,500-vjeçare të Gizës dhe kjo mund të çojë në gjetje të mëtejshme. Zbulimi brenda piramidës, e fundit nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë që ende qëndron në këmbë, u bë në kuadër të projektit Scan Pyramids i cili që nga viti 2015 ka përdorur teknologji jo-invazive duke përfshirë termografinë infra të kuqe, simulimet 3D dhe imazhet me rreze kozmike për të parë brenda strukturën.

Një artikull i botuar në revistën Nature tha se zbulimi mund të kontribuojë në njohuritë në lidhje me ndërtimin e piramidës. Piramida e Madhe u ndërtua si një varr monumental rreth vitit 2560 para Krishtit gjatë mbretërimit të faraonit Khufu, ose Keopsit. E ndërtuar në një lartësi prej 146 metrash, ajo tani qëndron në 139 metra dhe ishte struktura më e lartë e bërë nga njerëzit deri në Kullën Eifel në Paris në vitin 1889. Mostafa Waziri, kreu i Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit tha se:

Ne do të vazhdojmë skanimin tonë në mënyrë që të shohim se çfarë mund të bëjmë për të kuptuar se çfarë mund të zbulojmë nën të, ose vetëm nga fundi i këtij korridori.

Një teori e re është bërë publike së fundmi duke treguar se si egjiptianët e lashtë mund të kenë ndërtuar piramidën e madhe të Gizës mijëra vjet më parë. Studiues, të udhëhequr nga gjeografi Hader Sheisha, në Universitetin Aix-Marseille në Francë përdorën të dhëna paleoekologjike për të rindërtuar një pamje të rrjedhës që mund të ketë pasur lumi Nil në Egjipt gjatë 8 mijë viteve të fundit.