Health & Beauty Lifestyle Live From Tirana

Mjekja nutricioniste Matina Çobo: “Mos e teproni me Vitaminën D, sjell probleme në veshka!”

E ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë mjekja nutricioniste Matina Çobo. Ajo ka folur më shumë mbi trendet në TikTok që i bëjnë jehonë marrjes së suplementeve dhe vitaminave. Por a janë ato të rekomandueshme dhe si ta kuptojmë që i kemi të nevojshme për t’i përdorur pa ndikuar negativisht në shëndetin tonë?

Një nga suplementet më të përdorura është dhe Vitamina D, a mund të shkojë dhe në teprim kjo gjë?

Nëse një individ që vitaminën D e ka në vlera optimale, 30-40, dhe merr po prapë shtesë, mund të ndikojë që të formojë gurë në veshka. Sepse vitamina D është ajo që ndikon trupin që të përthithë kalciumin dhe nese ti e merr pa pasur nevojë, padiskutim që ka efekte anësore. Ajo çfarë unë shoh në moshat e treta dhe që e has shpesh në praktikë, është që marrin kalcium, ndoshta dhe pa ua sugjeruar mjeku, sepse do u forcojë kockat. Edhe kalciumi i marrë me tepricë, me doza mbi 2000 mg në ditë ose kur ti nuk ke vërtetë nevojë, kjo mund të predispozojë për sëmundje të arterieve dhe venave, pra për arteriosklerozë. Kështu që duhet të kemi shumë kujdes me suplementet që ne marrim. Nuk duhet t’i merrni pa bërë një konsultim me mjekuj tuaj që ju ndjek.