E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë mjekja nutricioniste Matina Çobo, Ajo ka folur më shumë mbi ushqyerjen tani që po afron vera dhe ndryshimet metabolike që ndodhin tek trupi ynë.
Shumë njerëz në verë kanë probleme me kafen, a duhet ta heqim gjatë verë nëse e dimë që nuk na bën mirë? Sepse shumë njerëzve me kafen e mëngjesit, u rriten rrahjet e zemrës për shkak të temperaturave…
E vërtetë, ashtu është. Në verë mund të bëjmë këtë kalimin në kafet e ftohta, por kujdes të paktën mos të jenë të amballazhuara sepse ato kanë dhe shumë sheqer. Dhe sheqernat automatikisht në verë mund të na dehidratojnë më shumë. Kafja është shumë e mirë patjetër, ka këto komponentët e vet që kanë dhe benefite shëndetësore, por kur është e nxehtë ajo mund të ndikojë negativisht në trupin tonë. Mund të na dehidratojë më shumë. Prandaj në verë themi që duhet të kemi pak kujdes me kafeinën, që të mos jetë po aq e lartë sa në dimër. Duhet të kemi kujdes po prapë me pijet alkoolike, me sheqerin e tepërt, sepse këto na dehidratojnë. Pra nxisin daljen e ujit nga trupi, kur është periudha që ne duhet ta mbajmë sa më shumë brenda trupit. Kështu që në lidhje me kafen, unë do t’ju sugjeroja që kafen ta merrni në një formë të ftohtë. Është problemi i temperaturës më shumë, se sa në vetvete i komponentit ushqimor. Por kafeinën mund ta ulni pak si sasi, nëse në dimër pijmë 3-4 kafe, 2 gjatë verës do ishte më mirë.