Gjykata e Lartë e Kosovës liroi zyrtarin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviç nga të gjitha akuzat për gjuhë të urrejtjes në deklaratën ku mohonte masakrën e Reçakut. Vendimi nënkupton se anulohet dhe vendimi i mëparshëm që e dënoi me një vit burg. Avokati i tij deklaroi:
Vendimi i Gjykatës së Lartë është i formës së prerë, nuk ka më ankesa apo procedurë. Todosijeviç është njeri i lirë.
Ivan Todosijeviç u gjykua dy herë për “përhapje të urrejtjes dhe mungesës së tolerancës”. Herën e parë u dënua me dy vjet burg, por Gjykata e Lartë e Kosovës mori vendim në fund të vitit 2021, që gjykimin ta kthejë në fillim.
Në një proces të përsëritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u dënua me një vit burg. Gjyqi ndaj tij është zhvilluar për shkak të gjuhës së urrejtjes.
Në mars të vitit 2019 shprehej se arsye për “agresionin e NATO-s kundër objektivave të ushtrisë jugosllave më 1999-ën ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.
Todosijeviç është anëtar i Kryesisë së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit. Ai është dhe kryetar i komunës paralele serbe të Zveçanit.
Në kohën kur bëri deklaratat për masakrën e Reçakut, mbante postin e ministrit të Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Kosovës. Më pas u shkarkua nga kryeministri i kohës, Ramush Haradinaj.
Përveçse i cilësoi “trillim” ngjarjet në Reçak, Todosijeviq shtoi se “terroristët shqiptarë që i shpikën të gjitha, bënë krimet më të mëdha në Kosovë dhe Metohi, për të cilat askush nuk është burgosur dhe nuk ka dhënë përgjegjësi deri më sot”.
NATO nisi sulmet ndaj objektivave serbe për të parandaluar dhunën e ushtruar nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kësaj ngjarjeje i parapriu vrasja e 45 shqiptarëve në fshatin Reçak të Shtimes.
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, publikisht i doli në mbrojtje Todosijeviçit, duke thënë se ai beson se “Reçaku është trillim” dhe se “serbët në Kosovë nuk kanë lirinë e fjalës”.