Sport

MUNDJE/ Valiev është fantastik, arrin finalen e Europianit. 26-vjeçari kuqezi kërkon medaljen e artë në Bratislavë

Chermen Valiev, medalisti i parë olimpik në histori për Shqipërinë, ka shënuar një tjetër rezultat të madh me ngjyrat e flamurit kuqezi. 26- vjeçari nga Osetia Veriore ka shkëlqyer në ditën e parë të konkurrimit të tij në Kampionatin Europian të mundjes, që po mbahet në Bratislavë. Valiev tregoi edhe një herë një formë fantastike, duke fituar dy ndeshje, teksa siguroi kualifikimin për në finalen e peshave 74 kg në stilin e lirë.

Në një kompeticion të mbushur me sportistë rusë të natyralizuar për shtete të ndryshme europiane, Valiev po nderon Shqipërinë me paraqitjet e tij në tapet. Ai spikati që në çerekfinale, teksa fitoi me rezultatin 10-0 kundër Ramazan Eldarovitch Ramazanov të Bullgarisë. Më tej, Valiev e tregoi forcën edhe në gjysmëfinale, duke triumfuar me rezultatin 6-0 ndaj Aghanazar Novruzov të Azerbajxhanit, për të prerë biletën që të çon në finale.

Me këtë sukses, Valiev tashmë e ka të sigurt medaljen e argjendit, por mundësi i Shqipërisë do të kërkojë sigurisht të artën, duke vijuar kështu serinë e rezultateve të mëdha ndërkombëtare. Në finale Veliev do të përballet sot me rusin Zaurbek Sidakov, ndeshje e planifikuar mes orës 18:00-20:00. Paraqitje shumë të mirë bëri dje edhe Zelimkhan Abakarov, i cili mbetet në garë për zonën e medaljeve.

LEXO EDHE:  Duka i hap rrugë ndryshimit të formulës së Superiores me “Final Four”: Do e bisedojmë me klubet
Kampioni i parë i botës për Shqipërinë, e filloi Europianin, duke kaluar me sukses kualifikueset, teksa mundi 10-0 zviceranin Nils Leutert. Më pas në çerekfinale, Abakarov fitoi 6-2 kundër azerit Nuraddin Novruzov. 31- vjeçari kuqezi u përball në gjysmëfinale me armenin Arsen Harutyunyan, ku u mund me rezultatin 5-2, megjithatë sot të ketë një tjetër shans në ripeshkim për medaljen e bronzit, me duelet që do të zhvilluan në hapësirën mes orës 10:30-14:30.

Ndërkohë për shkak të gjendjeje gripale, Islam Dudaev nuk konkurroi në Kampionatin Europian. Kështu edhe një herë tjetër, me natyralizimet nga Rusia, mundja vijon të konfirmohet si sporti me rezultatet më të larta për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.