Bota Tech

Musk: Fronti ukrainas shembet nëse fiket Starlink!

Miliarderi amerikan, Elon Musk, i afërt me administratën Trump theksoi rëndësinë e sistemit të tij satelitor “Starlink” për trupat ukrainase që luftojnë me Rusinë prej mbi tre vitesh tashmë.

Sistemi “Starlink” është shtylla kurrizore e ushtrisë ukrainase. E gjithë linja e tyre e frontit do të shembet nëse ai fiket, shkroi në rrjetin X, Elon Musk, këshilltari i ngushtë i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Musk shkroi se ishte i lodhur nga vitet e “vrasjeve masive” duke shtuar se Ukraina do të humbiste gjithsesi në fund. Prandaj sipas tij është e nevojshme që paqja të mund të bëhet menjëherë, pa humbur kohë.

Më vonë, Musk postoi për të sqaruar se “Starlink” nuk do t’i fikte kurrë terminalet e tij.

Për të qenë jashtëzakonisht i qartë, pavarësisht se nuk jam dakord me politikën e Ukrainës, “Starlink” nuk do t’i fikë kurrë terminalet e tij, shkroi ai. Unë thjesht po deklaroj se pa “Starlink”, linjat ukrainase do të shembeshin, pasi rusët mund të bllokojnë të gjitha komunikimet e tjera! Ne kurrë nuk do ta bënim një gjë të tillë ose ta përdornim si mjet pazari, vuri në dukje Musk.

Qeveria amerikane nën drejtimin e presidentit Donald Trump ka bërë një kthesë radikale në politikën e saj ndaj Ukrainës, së fundmi duke i dhënë fund mbështetjes për Kievin, të paktën për momentin. Shtëpia e Bardhë tha se arsyeja për këtë ishte për të detyruar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për të pranuar negociatat e paqes.

Më herët, Trump fajësoi Zelensky-n për luftën e urdhëruar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe e akuzoi atë se nuk dëshironte t’i jepte fund konfliktit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe zyrtarët e tij të qeverisë, po ashtu kanë miratuar kohët e fundit një qëndrim jashtëzakonisht të ashpër ndaj vendeve të tjera europiane, duke shpërfillur vazhdimisht partnerët e tyre europianë.