Në përputhje me udhëzimet e Donald Trump-it, të gjithë punonjësit federalë, së shpejti do të marrin një email që do t’i pyesë se çfarë kanë bërë gjatë javëve të fundit, siç shkruan në X miliarderi Elon Musk, pjesë e administratës Trump.
Mospërgjigja do të konsiderohet si dorëheqje.
Musk iu ka kërkuar punonjësve të qeverisë, të shpjegojnë se për çfarë kanë punuar javën e kaluar ose do të pushohen nga puna. Njoftimi i tij vjen pasi presidenti Trump i bëri thirrje Musk-ut të jetë më agresiv me administratën.
Fushata për shkurtime radikale u zgjerua më tej të premten e 14 shkurtit me humbjen e vendeve të punës të mijëra punonjësve që punonin në sektorë të shumtë, që nga armatimi bërthamor i vendit e deri tek kujdesi për veteranët.
U shkurtuan rreth 1,200 deri në 2,000 punonjës të Departamentit të Energjisë, përfshirë qindra të zyrës që mbikëqyr rezervat e armatimit bërthamor.
Kjo iu shtua valës së shkurtimeve në departamente si i Çështjeve të Veteranëve, Arsimit dhe Administratës e Biznesit të Vogël. Zyrtarët e Zyrës së Menaxhimit të Personelit që mbikëqyr punësimin federal u takuan më herët me agjencitë, duke i këshilluar të shkarkonin punonjësit në periudhë prove, sipas një personi në dijeni të çështjes.
Referuar të dhënave të qeverisë, rreth 280 mijë nga totali prej 2.3 milion punonjësish civilë të qeverisë federale, u punësuan gjatë dy viteve të fundit, që do të thotë se shumica është ende në periudhë prove dhe mund të shkurtohet më lehtë.
Në Byronë për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit, veprimet sinjalizojnë se është vendosur në objektiv një gamë më e gjerë personash se thjesht punonjësit në periudhë prove, siç thanë burimet dhe se janë ndërprerë kontratat e disa punonjësve me afat të përcaktuar.
Presidenti Trump thotë se qeveria federale është shumë e fryrë dhe se shumë para janë humbur nëpërmjet shpërdorimit e mashtrimit. Borxhi i qeverisë federale varion në rreth 36 trilion dollarë e pati një deficit prej 1.8 trilion dollarësh vitin e kaluar. Ekziston edhe një marrëveshje dypartiake mbi nevojën për reformimin e qeverisë.
Por, ligjvënësit demokratë thonë se presidenti Trump po cënon autoritetin kushtetues të legjislativit mbi shpenzimet federale edhe pse kolegët e tij republikanë që kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, përgjithësisht i kanë mbështetur masat e ndërmarra.