Yjet e modës dhe muzikës u bënë pjesë e spektaklit në Monte Karlo këtë fundjavë, ku Çmimi i Madh i Formula 1 në Monako u shndërrua në një skenë stili dhe elegance. Naomi Campbell dhe Dua Lipa ishin ndër figurat më të spikatura që tërhoqën vëmendjen me paraqitjet e tyre të veçanta në këtë event të përvitshëm.
Supermodelja legjendare Naomi Campbell, e cila sapo ka festuar 55-vjetorin e lindjes, u shfaq mahnitëse me një fustan të bardhë me rrudha dhe një shpatull të zbuluar, të kombinuar me syze dielli të bardha dhe një gjerdan elegant në formë zemre prej ari. Me këtë paraqitje, ajo dëshmoi edhe njëherë statusin e saj si ikonë mode, duke përzier hijeshinë me thjeshtësinë dhe klasin.
Në një tjetër qasje stilistike, Dua Lipa, këngëtarja me origjinë shqiptare që po dominon skenat ndërkombëtare, solli gjallëri dhe guxim me një bluzë me print leopardi në nuanca neon të verdhë, xhinse gri dhe një xhaketë të zezë “bomber”. E shoqëruar nga vëllai i saj Gjini, ajo u komentua gjerësisht për stilin e saj të veçantë dhe të freskët, duke sjellë një frymë energjie në atmosferën glamuroze të garës.
Eventi mblodhi emra të njohur nga bota e muzikës, modës, televizionit dhe biznesit, si Sofia Vergara, Jeff Bezos me të fejuarën Lauren Sanchez, dhe ylli i “Bridgerton”, Simone Ashley, e cila u vlerësua për veshjen e saj prej lëkure në ngjyrë krem.
Pas spektaklit në tapetin e pistës, emocioni u zhvendos në garë, ku britaniku Lando Norris siguroi fitoren, duke i dhënë një fund triumfues një fundjave ku stili dhe adrenalina u ndërthurën në mënyrë perfekte në zemër të Monakos.