Aktualitet

Berisha: Meta mbahet në burg me porosi të Edi Ramës!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur për mediat pas takimit që pati me Ilir Metën për humbjen e babait, e ka cilësuar arrestimin e ish-presidentit si “burgosje politike”.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama që po mban në burg me një proces të padrejtë Metën.

“Dënoj me forcën më të madhe burgosjen e tij politike nga një njeri që ka në shpirt trashëgiminë e babait të tij xhelat për kundërshtarin politik. Meta ka gjithçka të montuar dhe politike. Një farsë e turpshme, një farsë që mbahet gjallë nga një ish-xhelat i Sigurimit të Shtetit dhe të tjerë, me falsitete, dokumente false dhe si një zbatim i porosisë së Edvin Kristaq Ramës, njeriut, krimet familjare të të cilit e bëjnë atë më kriminel se sa etërit e tij. E thotë Viktor Hygoi diku; çobani i bagëtive të egra është më i egër se ato. Bastardi i egërsirave, i xhelatëve të komunistëve është më i egër se vetë ata”, u shpreh Berisha.

“Dëgjoni, ju duhet të bëni investigim. Unë ftoj mediat të bëjnë investigim. Dëgjoni se çfarë bëjnë, dorëzojnë dokumente të cilat faktojnë se kanë ngritur akuzën mbi falsitet dhe nuk do i jepen LSI-së për dy vite, nuk duhet t’i shohin se nuk duan t’u dalin akuzat fale, të turpshme që kanë lëshuar ndaj tij. Edhe njëherë u them, asnjëra prej akuzave ka absolutisht zero substancë. E mban Edi Rama vetëm nga frika dhe tmerri, sepse siç e shihni ju, ai tani mbahet në çdo fije bari, është i aftë për çdo akt, pasi në fakt është një kufomë e pakallur”, shtoi Berisha.

I pyetur nga gazetarët nëse ky ishte takimi i parë me Metën që nga pas arrestimit të tij dhe nëse ndanë ndonjë shqetësim, Berisha u përgjigj: “Biseda ime ishte në mjedis të hapur dhe natyrisht gjatë kësaj kohe biseduam për aktin e turpshëm, se të mbash të burgosur politik vetëm nga frika dhe tmerri siç bën Edi Rama, është një akt për të cilin nuk mund të them gjë tjetër veçse vazhdon me përpikmëri dhe besnikëri rrugën e babait të vet”.