Aktualitet

Lamtumirë Kreshnik Tartari! Legjenda e volejbollit mbylli sytë në moshën 82 vjeç!

Sporti humbi një nga figurat më të shquara. Kreshnik Tartari, një prej emrave më të rëndësishëm në historinë e volejbollit shqiptar, mbylli sytë në moshën 82-vjeçare.

I lindur më 21 korrik 1943 në Tiranë, Tartari i kushtoi jetën sportit, duke spikatur fillimisht si volejbollist me ekipin e Dinamos dhe përfaqësuesen kombëtare. Gjatë karrierës si lojtar, fitoi tituj kampionë dhe trofe të shumtë, duke qenë pjesë e brezit që shënoi periudhën më të suksesshme të volejbollit shqiptar.

Emri i Kreshnik Tartarit lidhet ngushtë me sukseset e arritura si trajner.

Ndër teknikët më të suksesshëm që ka njohur volejbolli shqiptar, duke formuar breza sportistesh dhe ndërtuar skuadra që dominuan për vite me radhë në arenën kombëtare.

Një nga kapitujt më të lavdishëm të karrierës ishte drejtimi i ekipit të femrave të Dinamos. Nën udhëheqjen e Tartarit, skuadra nisi në vitin 1974 një periudhë dominimi të jashtëzakonshëm, duke fituar 11 tituj kampionë radhazi dhe 20 gjithsej.

Po ashtu, ekipi arriti rezultate historike edhe në garat evropiane, me një vend mes katër skuadrave më të mira në kompeticionet kontinentale.

Mbi bazën e këtij formacioni fitues, Tartari ndërtoi edhe ekipin kombëtar të vajzave, i cili arriti një nga sukseset më të mëdha në historinë e sportit shqiptar. Në Lojërat Mesdhetare të vitit 1987, Kombëtarja triumfoi ndaj Italisë, kampione e Evropës në atë periudhë, duke fituar titullin kampion të Lojërave Mesdhetare.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e sportit, Kreshnik Tartari u vlerësua me një sërë titujsh dhe dekoratash, edhe si “Mjeshtër i Madh”.

Ndër arkitektët e sukseseve më të mëdha të volejbollit në vend, Kreshnik Tartari do të mbahet mend si një personalitet që i dha prestigj dhe lavdi këtij sporti.